Prokurorët e rinj vizituan Institucionin e Avokatit të Popullit
Prishtinë, 15 prill 2024 – Gjenerata e dhjetë e prokurorëve të sapoemëruar vizituan Institucionin e Avokatit të Popullit, ku u pritën nga zëvendës Avokatja e Popullit, Anita Çavdarbasha Korenica dhe drejtoresha e Mekanizmit Kombëtar për Parandalim të Torturës (MKP), Shqipe Ibraj Mala.
Znj. Çavdarbasha Korenica foli për mandatin dhe kompetencat e Avokatit të Popullit, e në veçanti në punën praktike të trajtimit të ankesave dhe relacionin e Institucionit të Avokatit të Popullit me gjyqësorin dhe prokurorinë.
Në anën tjetër, znj. Ibraj Mala njoftoi të pranishmit për punën dhe aktivitetet e MKPK-së që ka për detyrë të vizitoj rregullisht dhe pa paralajmërim të gjitha vendet ku mbahen personat e privuar nga liria, duke përfshirë ndalimin policor, paraburgimin e të tjera, për të parë nëse këto vende respektojnë të drejtat e njeriut.
Akademia e Drejtësisë organizon trajnim një vjeçar për gjyqtarët dhe prokurorët e sapoemëruar, ku krahas trajnimit praktik, ata realizojnë vizita në institucione të ndryshme të Republikës së Kosovës.