Avokati i Popullit takoi Asamblenë e Fëmijëve të Kryeqytetit
Prishtinë, 28 mars 2024 – Avokati i Popullit, Naim Qelaj priti në takim Asamblenë e Fëmijëve të Kryeqytetit, organ legjitim i përfaqësimit të fëmijëve në vendimmarrje në nivel lokal dhe është ambient ku vazhdimisht promovohen liritë dhe të drejtat e fëmijëve.
Në fjalën e tij hyrëse, Avokati i Popullit foli për mandatin dhe kompetencat e tij në mbrojtje të të drejtave të fëmijëve, dhe për departamentin e veçantë që punon për të drejtat e fëmijëve, që nga promovimi dhe mbrojtja, e deri në hetimin e ankesave.
Avokati i Popullit po ashtu i njoftoi të pranishmit për punën e bërë gjatë vitit të kaluar ku institucioni ka pranuar gjithsejtë 79 ankesa që kanë të bëjnë me të drejtat e fëmijëve. Nga ky numër, janë hapur 46 raste për hetim ndërsa ankesat janë bërë ndaj komunave, gjykatave, ndaj ministrive përfshirë edhe Qendrat për Punë Sociale.
Fëmijët theksuan shqetësimet tjera duke përfshirë çështjen e privatësisë së fëmijëve, siguria në shkolla, mungesa e psikologëve nëpër shkolla, bullizmi, dhe fëmijët në situatë rruge.
Asambleja e Fëmijëve të Kryeqytetit ka 51 fëmijë të moshave prej 12 deri 15 vjeç. Asambleja e Fëmijëve të Kryeqytetit është themeluar për herë të parë në viti 2015, ka mandat 2 vjeçar dhe funksionon sipas Rregullores Komunale për themelimin dhe funksionimin e Asamblesë së Fëmijëve.