Avokati i Popullit organizoi tryezën me titull “Restaurimi i të drejtave pronësore të nacionalizuara”
Prishtinë, më 19 mars 2024 – Të ftuar në këtë tryezë ishin Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës z. Albert Zogaj, gjyqtarë nga Gjykata Supreme, nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme si dhe nga Gjykata e Apelit. Po ashtu të ftuar ishin profesorë të Fakultetit Juridik si dhe avokatë dhe ekspertë të fushës, të cilët shprehen mendimet e tyre rreth çështjes në diskutim.
Fokusi në këtë takim shtrihej në rastet e marrjes së pronave private, pa kompensim në periudhën e komunizmit, dhe modalitetet që duhet ti ndjek Republika e Kosovës, me qëllim të kompensimit të atyre pronarëve, pronat e të cilëve janë marrë pa kompensim.
Në këtë tryezë u konstatua se vonesa e nxjerrjes së një Ligji për Denacionalizimin e pronave që janë marrë pa kompensim në periudhën e komunizmit, përbën shkelje të vazhdueshme të të drejtave pronësore si të drejta të njeriut.
Në fund të takimit, doli si qëndrim i përbashkët i të gjithë të pranishmëve, nevoja që Republika e Kosovës të nxjerr një Ligj për Denacionalizimin e pronave, të cilat i janë marrë pronarëve pa kompensim. Po ashtu si qëndrim i përbashkët i pjesëmarrësve në takim ishte nevoja që me ligj të specifikohen rastet e kompensimit, apo kthimit të pronave të nacionalizuara, nëse një gjë e tillë është praktikisht e mundur.
Avokati i Popullit i njoftoi të pranishmit se do ndërmerr edhe veprime të tjera lidhur me këtë çështje, e që janë në kuadër të mandatit kushtetues të Avokatit të Popullit.