Avokati i Popullit takoi përfaqësuesit e ZRrE-së
Prishtinë, 18 mars 2024 – Avokati i Popullit, Naim Qelaj priti në takim kryesuesin e bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), Ymer Fejzullahu ku temë diskutimi ishte zbatimi i Aktgjykimit të plotfuqishëm të Gjykatës Themelore Prishtinë A.nr.1373/2017.
Ky aktgjykim detyron ZRrE-në që të ndërmarrë veprime në drejtim të kompensimit të dëmit që u është bërë qytetarëve të vendit me faturimin e energjisë elektrike të shpenzuar në katër komunat e veriut të vendit, në periudhën kohore prej datës 6 shkurt 2012 deri më 20 dhjetor 2017, në shumë prej mbi 40 milionë euro.
Z. Fejzullahu theksoi se ZRrE zotohet në përmbushje të detyrimit të vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe se lidhur me domosdoshmërinë e zbatimit të aktgjykimit dhe mënyrat e zbatimit të tij ZRrE ka njoftuar Komisionin Parlamentar për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti si dhe Ministrinë e Ekonomisë për kompensimin e qytetarëve duke diskutuar për mënyrat se si duhet bërë kompensimi.
Avokati i Popullit, në anën tjetër theksoi se moszbatimi i aktgjykimit mund të ketë pasoja të shumëfishta dhe implikime akoma më të rënda për buxhetin e shtetit andaj ka sugjeruar që në këtë çështje do të duhej të përfshihej edhe Qeveria e Kosovës.