
Avokati i Popullit mori pjesë në konferencën për zbatimin e Konventës së Stambollit
Prishtinë, 15 mars 2024 – Avokati i Popullit, Naim Qelaj mori pjesë në konferencën “Zbatimi i Konventës së Stambollit përmes praktikës gjyqësore: Dialogu Gjyqësor për një Përgjigje Gjyqësore Efektive”, e organizuar nga Këshilli i Evropës Zyra në Prishtinë dhe AIRE Centre.
Pjesëmarrësit diskutuan për zbatimin efektiv të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Konventës së Stambollit e cila kërkon përafrimin dhe harmonizimin e kuadrit legjislativ vendor dhe ngritjen e kapaciteteve të institucioneve për të siguruar zbatimin e duhur në praktikë.
Avokati i Popullit, Naim Qelaj mori pjesë në panelin e dytë me temë “Dialogu gjyqësor për përgjigje adekuate ndaj dhunës kundër grave dhe dhunës në familje”.
Ai theksoi se Avokati i Popullit ka dhënë kontribut përmes rekomandimeve e qëndrimeve të veta dhe ka ndikuar në funksionimin e sistemit të drejtësisë për të ofruar mbrojtje efektive dhe efikase, duke aplikuar standarde që janë në përputhje me Konventën e Stambollit.
“Roli i Avokatit të Popullit ka karakter të ndërhyrjes si në preventivë duke adresuar rekomandime për marrjen e masave që përmirësojnë reagimin institucionale në eliminim të dhunës në familje,” tha ai.
Z. Qelaj mori si shembuj disa raste të dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore, të trajtuara nga Institucioni i Avokatit të Popullit, duke konstatuar se autoritetet shtetërore kanë dështuar në përmbushjen e obligimeve pozitive për të mbrojnë të drejtën në jetë dhe nga dhuna në familje.
Konventa e Stambollit njihet në botë si instrument ligjor për parandalimin e dhunës ndaj grave dhe të dhunës familjare, si dhe për mbrojtjen e viktimave, dhe ndjekja penale e dhunuesve cilësohet si bazament i konventës.
Konventa, ndër të tjera, thekson se është detyrim i shtetit që ta adresojë plotësisht dhunën në të gjitha format e saj dhe të marrë masa për të parandaluar dhunën ndaj grave, për t’i mbrojtur viktimat dhe për t’i ndjekur penalisht autorët e krimit.