Avokati i Popullit takoi Ambasadorin Szczygiel, Komisionar i lartë i OSBE-së për pakicat kombëtare
Prishtinë, 14 mars 2024 – Avokati i Popullit, Naim Qelaj priti në takim Ambasadorin Marek Szczygiel, drejtor i zyrës së Komisionarit të Lartë të OSBE-së për Pakicat Kombëtare.
Avokati i Popullit foli për mandatin dhe kompetencat e tij si dhe për punën dhe aktivitetet që Institucioni i bënë në lidhje me pranimin dhe hetimin e ankesave të qytetarëve. Ai tha se Institucioni gëzon besimin e publikut të gjerë nga matjet e bëra nga organizatat vendore dhe ndërkombëtare.
Avokati i Popullit theksoi se pranon ankesa të shumta nga komuniteti jo-shumicë duke nënvizuar pranimin e 251 ankesave gjatë vitit të kaluar, nga ky numër 154 ankesa janë regjistruar nga komuniteti Serb, nga gjithsejtë 1,660 ankesa të pranuara gjatë vitit 2023.
Ai tha se bazuar në ankesat e pranuara, rastet më së shumti kanë të bëjnë me çështjet pronësore, zvarritjet e proceseve gjyqësore, mosnjohja e diplomave dhe çështjet e punësimit. Po ashtu, komunitetet tjera jo-shumicë kanë parashtruar ankesa që përfshijnë problemet sociale dhe ekonomike, ankesa në lidhje me zhvendosje dhe kthim, si dhe ankesa në lidhje me të drejtat e gjuhës në shkollim.
Avokati i Popullit theksoi se është krijuar një standard në komunikim dhe për respektim të zbatimeve të rekomandimeve të Avokatit të Popullit, megjithatë ka nevojë për rritjen e mbikëqyrjes së zbatimit të këtyre rekomandimeve nga ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
IAP në vazhdimësi ka ruajtur komunikimin e rregullt me qytetarët duke përfshirë të gjitha komunitetet përmes organizimit të takimeve në koordinim dhe bashkëpunim me organizatat e shoqërisë civile. Në këto takime kanë marrë pjesë të gjithë përfaqësuesit e të gjitha komuniteteve dhe është treguar praktikë e mirë si mundësi që qytetarët lirshëm të shprehin brengat dhe shqetësimet e tyre.
Në përgjithësi vërehet një vullnet institucional për respektimin e të drejtave gjuhësore në vend, në këtë aspekt institucioni ka bashkëpunim të mirë me Zyrën e Komisionerit për Gjuhë duke nënvizuar se ka një vetëdijesim të autoriteteve për respektimin e ligjit për gjuhët, por që një sfidë vazhdon të mbetet mungesa e përkthyesve.
Ambasadori Marek Szczyigl theksoi rolin dhe rëndësinë që ka Institucioni i Avokatit të Popullit në mbrojtjen e të drejtave të njeriut për gjithë qytetarët duke përgëzuar Avokatin e Popullit për punën dhe angazhimin e deritashëm.