Featured Image

Avokati i Popullit takoi përfaqësuesit e sindikatave

12/03/2024

Prishtinë, 12 mars 2024 – Avokati i Popullit organizoi një tryezë diskutimi me përfaqësuesit e sindikatave të vendit me qëllim që të adresohen çështjet e rëndësishme për sigurinë dhe shëndetin në punë, respektimin e të drejtave të punësuarve, dialogun social dhe lirinë e organizimit sindikal.

Avokati i Popullit ka pranuar dhe vazhdon të pranoj ankesa dhe shqetësime lidhur me të drejtat në punë nga të dy sektorët, publik dhe privat dhe kjo ka nxitur nevojën për një diskutim të hapur për situatën dhe gjendjen jo të mirë të punëtorëve në të dy sektorët.

Përfaqësuesit e sindikatave folën për sfidat dhe problemet që prekin anëtarët e tyre gjegjësisht në sektorin e arsimit, të policisë, shëndetësisë, shërbimit korrektues, shërbimit të zjarrfikësve, doganave, administratës tatimore, aeroportit dhe sektori i minierave. Disa nga përfaqësuesit theksuan në veçanti mungesën e dialogut social me qeverinë e Kosovës duke konsideruar se kjo mungesë e vështirëson edhe më shumë pozitën e punëtorëve.

Ndër çështje tjera që u përmendën ishin edhe mungesa e kontratës kolektive, moszbatimi i ligjit për sigurime shëndetësore, kategorizimi jo i drejtë i pagave të punëtorëve si rezultat i ligjit të ri për pagat në sektorin publik, paga minimale dhe ndikimi që ka në mirëqenien e qytetarëve, si dhe tema të tjera lidhur me kushtet e punës.

 Avokati i Popullit dhe të pranishmit u morën vesh që në të ardhmen të mbahet një takim i përbashkët ndërmjet sindikalistëve dhe qeverisë dhe ministrive përkatëse me qëllim që temat që u ngritën të adresohen tek autoritetet gjegjëse.