Avokati i Popullit mori pjesë në prezantimin e raportit për përfshirjen e grave nga zonat rurale në tregun e punës
Prishtinë, 6 mars 2024 – Avokati i Popullit, Naim Qelaj mori pjesë në një tryezë të organizuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit e cila prezantoi raportin “Barazia gjinore dhe fuqizimi i grave nga zonat rurale përmes përfshirjes së tyre në tregun e punës”.
Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca tha se objektivi i këtij auditimi është që të vlerësohet efektiviteti dhe ndikimi i politikave dhe programeve që synojnë promovimin e përfshirjes së grave nga zonat rurale në tregun e punës, me fokus në rritjen e pjesëmarrjes së tyre dhe identifikimin e mundësive për përmirësim.
Spanca tha se në praktikë barazia gjinore po mbetet e pazbatuar. Ajo shtoi se ende nuk janë arritur rezultatet pozitive edhe pse autoritetet kanë ndërmarrë hapa për përmirësim të situatës.
Avokati i Popullit, Naim Qelaj tha se si organ i barazisë dhe bazuar në punën e bërë në hetime të rasteve që ndërlidhen me barazinë gjinore, del të jetë një situatë jo e mirë.
Ai shtoi se disa prej sfidave që vazhdojnë të mbesin problematike për gratë janë çështjet e trashëgimisë në të cilat një numër i vogël i grave e gëzojnë, dhe ndarja e pasurisë e fituar në martesë.
“Gratë nuk kanë tokë. Ato duhen të marrin tokë me qira, dhe të aplikojnë për grante dhe subvencione. Duhet të ndryshojmë ligjet dhe mendësinë,” tha ai.
Fjalë rasti patën Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, Ambassador dhe drejtoresha e Zyres UN Women në Kosovë, Vlora Tuzi Nushi.
Ky auditim ka përfshirë periudhën 2019-2023 dhe auditimi është kryer në Ministrinë e Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB), si dhe Agjencinë e Punësimit (APRK), ku fokus kryesor ka qenë Programi për bujqësi dhe zhvillim rural,
Disa nga të gjeturat e raportit theksojnë se kriteret e përzgjedhjes për subvencione nuk sigurojnë përkrahjen e barazisë gjinore, Ministria e Bujqësisë duhet të sigurohet përfshirja e grave rreth informimit për Programet e Zhvillimit Rural.
Raporti përmban tetë rekomandime për Ministrinë e Bujqësisë dhe dy rekomandime për Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, gjegjësisht Agjencisë së Punësimit.
Publikimi i këtij raporti është mbështetur nga UN Women dhe i financuar nga Sida.