Featured Image

IAP mori pjesë në shënimin e ditës ndërkombëtare për personat me karrocë

01/03/2024
Prishtinë, 1 mars 2024 – Zëvendës Avokati i Popullit, z. Niman Hajdari dhe znj. Meral Tejeci, këshilltare e lartë juridike, morën pjesë në shënimin e ditës ndërkombëtare për personat me karroca, e organizuar nga Handikos, dega në Ferizaj.
Në fjalimet hyrëse u theksua rëndësia e kësaj dite që ka për qëllim ngritjen e vetëdijes ndaj sfidave dhe problemeve që kanë komuniteti i personave që përdorin karroca.
Zëvendës Avokati i Popullit, z. Niman Hajdari foli për mandatin dhe kompetencat e Avokatit të Popullit, përfshirë edhe promovimin e të drejtave të njeriut. Ai theksoi se Kushtetuta e Republikës së Kosovës garanton trajtim të barabartë dhe pa diskriminim, lëvizje të papenguar, mjedis të sigurt dhe të shëndetshëm për të gjithë.
Në këtë takim u prezantuan gjetjet e raportit të Avokatit të Popullit, sipas detyrës zyrtare, në lidhje me qasjen në trotuare, hapësira publike dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve si dhe respektimin e së drejtës për mjedis të sigurt dhe të shëndetshëm jetësor në qytetin e Ferizajt.
Avokati i Popullit, me rastin e kësaj dite rikujton autoritetet publike, që duke u krijuar kushte për lëvizje të lirë dhe të papenguar nëpër të gjitha hapësirat dhe objektet publike, përmes infrastrukturës së përcaktuar me legjislacionin në fuqi, personat me aftësi të kufizuar të trajtohen në mënyrë të barabartë dhe pa diskriminim.