
IAP mori pjesë në takimin me deputetët e Parlamentit Evropian
Prishtinë, 20 shkurt 2024 – Zëvendës Avokati i Popullit, z. Niman Hajdari, mori pjesë në tryezën e rrumbullakët me deputetët e Parlamentit Evropian të organizuar nga Rrjeti Evropian i Institucioneve Kombëtare për të Drejtat e Njeriut (ENNHRI).
Takimi u mbajt në Parlamentin Evropian dhe tema e takimit ishte “Partneriteti i ri për sundim të ligjit, demokracisë dhe të drejtave të njeriut në vendet pjesë të zgjerimit të BE-së”.
Qëllim i takimit ishte për të shkëmbyer me përfaqësues të ndryshëm të Bashkimit Evropian (BE) për situatat e tyre kombëtare të sundimit të ligjit, duke ndarë njohuri mbi punën e tyre të larmishme si monitorues të pavarur dhe masa mbrojtëse për sundimin e ligjit.
Në takim morën pjesë shtatë Institucione Kombëtare për të Drejtat e Njeriut – Shqipëria, Kosova, Bosnja e Hercegovina, Maqedonia Veriore, Gjeorgjia, Ukraina dhe Moldavia, të cilat prezantuan sfidat e ndryshme lidhur me sundimin e ligjit në vendet e tyre në raport me të drejtat dhe liritë e njeriut.
Kryesuesi i këtij takimi ishte deputeti Andreas Schider nga Austria, i cili është edhe kryesues i delegacionit për marrëdhëniet me Bosnje Hercegovinën dhe Kosovën. Në takim morën pjesë edhe Euro deputetët Tonino Picula (Kroaci), raportues i Parlamentit Evropian lidhur me strategjinë e re të BE-së për zgjerim, Thijs Ruten, nga Komiteti për Punë të Jashtme në Parlamentin Evropian (Holanda), Matjaz Nemec (Slloveni), anëtar i Delegacionit të Komisionit Parlamentar për Stabilizim dhe Asociim BE-Serbi.
Z. Hajdari foli për gjendjen e të drejtave të njeriut në Kosovë, e në veçanti për rëndësinë që ka anëtarësimi i vendit në Këshillin e Evropës, meqenëse ky anëtarësim do t`u ofronte mundësi qytetarëve të vendit për t’iu drejtuar Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ).
Në fund të takimit, sekretarja e përgjithshme e ENNHRI-t, përcaktoi disa pika se si do të mund të duket partneriteti i ri BE-ENNHRI. Ky partneritet sipas saj, duhet të garantojë dhe të bazohet në pikat si në vijim:
- IKDNJ-të të kenë përkrahje të fuqishme si pjesë e të drejtave të njeriut dhe në secilin vend në zgjerim.
- Funksionimi efektiv dhe i pavarur i IKDNJ-ve është një tregues i sundimit të ligjit në negociatat e zgjerimit.
- Negociatat e anëtarësimit adresojnë sistematikisht sfidat me të cilat përballen IKDNJ-të.
- IKDNJ-të marrin pjesë në zhvillimin dhe monitorimin e masave për të avancuar zbatimin e kritereve të Kopenhagës.
Në fund të takimit deputetët e Parlamentit Evropian propozuan që takime të tilla të mbahen në të ardhmen.