Featured Image

Avokati i Popullit takoi përfaqësues të shoqërisë civile dhe institucioneve lokale të regjionit të Prizrenit

27/02/2024

Prizren, 27 shkurt 2024 – Në kuadër të projektit “Përparimi i të drejtave të njeriut përmes rritjes së vetëdijes publike”, i zbatuar nga OJQ “ACDC” dhe i mbështetur nga UNMIK- u, u mbajt tryeza e diskutimit mbi të drejtat e njeriut me pjesëmarrje të organizatave të shoqërisë civile, zyrtarë të institucioneve komunale lokale e përfaqësues të organizatave joqeveritare nga radhët e komunitetit serb, turq, boshnjak e goran.

Takimi kishte për qëllim diskutimin me Avokatin e Popullit, mbi situatën e të drejtave të njeriut në nivel lokal, problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët e nevojat për adresim; respektimi i të drejtave të komuniteteve jo shumicë si edhe fuqizimi i bashkëpunimit ndërmjet Institucionit të Avokatit të Popullit me organizatat e shoqërisë civile në përpjekje për mbrojtje dhe promovim të lirive dhe të drejtave të njeriut.

Nga pjesëmarrësit në këtë tryezë si shqetësim me nevojë për adresim u ngritën problemet e komuniteteve jo shumicë në këtë regjion, përkitazi me arsimin, mungesën e librave shkollorë në gjuhët amtare, mungesa e komunikimit në gjuhët lokale gjatë marrjes dhe ofrimit të shërbimeve shëndetësore, gjatë zhvillimit të procedurave administrative e më gjerë.

Po ashtu nga përfaqësuesit e komunitetit serb u ngrit shqetësimi për mungesën e zhvillimit të procedurave për njohje të shkollimit të mesëm, duke cilësuar këtë si diskriminuese pasi që aktualisht e aplikueshme është vetëm procedura për verifikim dhe njohje të diplomave të arsimit të lartë. Ndërkaq sfiduese vazhdon të përmendet edhe zvarritja e procedurave gjyqësore, mungesa e strehimoreve për personat me aftësi të kufizuara që janë viktimë e dhunës.

Gjatë këtij takimi u diskutua edhe për vështirësitë për qasje në trotuare/shtigje të këmbësorëve si dhe problemet për qasje në objekte, në veçanti ato institucionale. Të pranishmëve iu prezantuan gjetjet e Raportit të Avokatit të Popullit, Ex officio nr. 648/2021 në lidhje me qasjen në trotuare, hapësira publike dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve si dhe respektimin e së drejtës për mjedis të sigurt dhe të shëndetshëm jetësor.