Featured Image

Avokati i Popullit dërgoi kërkesën  në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e përputhshmërisë me Kushtetutën të nenit 4 të Ligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti

15/02/2024

Prishtinë, 13 shkurt 2024 – Avokati i Popullit dërgoi në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, kërkesën për vlerësimin e përputhshmërisë me Kushtetutën të nenit 4 të Ligjit nr. 08/L-248 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 04/L-131 për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti (në tekstin e mëtejshëm: “Ligji i kontestuar”).

Çështja e ngritur nga Avokati i Popullit ka të bëjë me stazhin kontribut pagues i përcaktuar me nenin 8 të Ligjit nr.04/L-131 për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, për të cilin Avokati i Popullit, më 6 prill 2018, ka publikuar Raportin me Rekomandime ex officio 235/2018, ku ka theksuar se një pjesë e qytetarëve që kanë punuar para vitit 1999 nuk përfitojnë nga pensioni kontributpagues i moshës, për shkak se në vitin 1989 e tutje, janë larguar nga puna në mënyrë diskriminuese si pasojë e masave të dhunshme dhe se për këtë arsye nuk kanë mundur të arrijnë stazhin kontributpagues prej 15 vitesh.

Avokati i Popullit nëpërmjet këtij raporti kishte kërkuar ndryshimin e ligjit dhe përfshirjen në skemën pensionale kontributpaguese të të gjithë qytetarëve, të cilët për shkak të largimit të dhunshëm nga puna nuk kanë qenë në mundësi që të arrijnë stazhin pensional prej 15 vitesh të përcaktuar me ligj.

Në këtë drejtim, edhe Gjykata Kushtetuese nëpërmjet Aktgjykimin KO 190/19, të datës 16 janar 2023, kishte konstatuar se Ligji nr.04/L-131 për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti nuk është në përputhshmëri me nenin 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës në lidhje me nenin 14 (Ndalimi i diskriminimit) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe nenin 1 (Ndalimi i Përgjithshëm i Diskriminimit) të Protokollit nr. 12 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Rrjedhimisht, Gjykata Kushtetuese ka urdhëruar Kuvendin dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës, respektivisht, që deri më 15 korrik 2023 të ndërmarrin veprimet e nevojshme për plotësimin dhe ndryshimin e nenit 8 të Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, në pajtim me Kushtetutën dhe këtë Aktgjykim.

Ligji i kontestuar ka hyrë në fuqi më 16 gusht 2023, i cili në mes tjerash, e shton nenin e quajtur “Pensioni parcial kontributpagues i moshës” i cili sipas Avokatit të Popullit nuk e zgjidh problemin për shkak se një numër qytetarësh të dëbuar nga puna si pjesë e masave të dhunshme mbesin përsëri jashtë kësaj skeme. Avokati i Popullit konsideron se mbajtja si kriter i stazhit kontributpagues për 15 vjet, vazhdon tua mohoj realizimin e të drejtës qytetarëve të dëbuar nga puna e që si pasojë e kanë të pamundur të përmbushin këtë kriter.

Avokati i Popullit vlerëson se në këtë mënyrë këtyre qytetarëve u mohohet e drejta për trajtim të barabartë para ligjit, ashtu siç është përcaktuar edhe në Aktgjykimin KO 190/19.

Kërkesë në fjalë e gjeni këtu -> https://bit.ly/49BCBMI