
Avokati i Popullit diskutoi për të drejtat e njeriut me përfaqësues lokal dhe të shoqërisë civile në Ferizaj
Prishtinë, 8 shkurt 2024 – Në kuadër të projektit “Përparimi i të drejtave të njeriut përmes rritjes së vetëdijes publike”, i zbatuar nga organizata “Qendra Avokuese për Kulturën Demokratike” (ACDC) dhe i mbështetur nga UNMIK-u, u organizua një tryezë diskutimi mbi të drejtat e njeriut me pjesëmarrje të organizatave të shoqërisë civile, zyrtarë të institucioneve komunale lokale e përfaqësues të organizatave joqeveritare nga radhët e komunitetit serb, rom, ashkali dhe egjiptian, të rajonit të Ferizajt.
Objektivi kryesor i këtij takimi ishte diskutimi me Avokatin e Popullit, z. Naim Qelaj, mbi situatën e të drejtave të njeriut në nivel lokal, problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët e nevojat për adresim; respektimi i të drejtave të komuniteteve jo-shumicë si edhe fuqizimi i bashkëpunimit ndërmjet Institucionit të Avokatit të Popullit me organizatat e shoqërisë civile në përpjekje për mbrojtje dhe promovim të lirive dhe të drejtave të njeriut.
Nga pjesëmarrësit në këtë tryezë si shqetësim me nevojë për adresim u ngritën sfidat në vonesat e proceseve gjyqësore e veçanërisht atyre kontestimore, pastaj respektimi i të drejtës së përdorimit të gjuhës amtare në procedurat gjyqësore për komunitetet jo-shumicë. Po ashtu si probleme me të cilën ballafaqohen komunitetet jo-shumicë rom, ashkali e egjiptian u ngritën problemet me legalizimin e pronave në procesin e ndërtimit të shtëpive – qytetarëve në nevojë – nga ana e institucioneve.
Çështje tjera që u parashtruan ishte edhe problemi me trajtimin e kërkesave në komisione mjekësore për personat me aftësi të kufizuara si edhe refuzimi i kërkesave në rivlerësim, duke vazhduar pastaj me problemet e nostrifikimit të diplomave Kosovë – Serbi, shqetësimi i situatës me fëmijët lëmoshë kërkues në rrugë si dhe problemi me sigurinë e cenuar të qytetarëve nga qentë endacak.
Me këtë rast, Avokati i Popullit i njoftoi pjesëmarrësit për çështjet e trajtuara deri më tani, situata të cilat janë ngritur si shqetësim nga qytetarët e po ashtu i siguroi pjesëmarrësit se edhe çështjet e ngritura në këtë tryezë të pa trajtuara deri më tani do të trajtohen në përputhje me mandatin dhe kompetencat e IAP-së.