Featured Image

Prezantohet raporti i Avokatit të Popullit në lidhje me gjuhën në diskursin publik

06/02/2024

Prishtinë, 6 shkurt 2024 – Në një tryezë të organizuar, Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj prezantoi raportin me rekomandime “Gjuha në diskursin publik në raport me detyrimet që ka shteti në garantimin e lirisë së shprehjes dhe parandalimin e gjuhës së urrejtjes” me pjesëmarrje të përfaqësuesve të mediave, shoqërisë civile dhe përfaqësuesve të institucioneve publike.

Në fjalën e tij hyrëse, Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj tha se liria e shprehjes është e rëndësishme në një shoqëri demokratike dhe se kjo e drejtë duhet të ushtrohet në përputhje me të drejtat tjera.

“Këtu përfshihet edhe detyrimi i shtetit për të ndërmarrë masa që i kundërvihen gjuhës që nxit urrejtje kundër individit apo grupeve të caktuara, në bazë të racës dhe diskriminimit racor, diskriminimit me bazë gjinore, homofobisë, transfobisë, ksenofobisë, si dhe të gjitha formave që në thelb kanë diskriminimin dhe jo tolerancën,” tha z. Qelaj.

Ai shtoi se gjuha e urrejtjes me bazë diskriminuese ndaj grave, personave LGBTI dhe grupeve tjera të cenueshme është në rritje, sidomos në rrjetet sociale.

“Kjo ka shtruar nevojën e monitorimit, parandalimit dhe të luftimit të kësaj gjuhe në të gjitha format e saj. Me këtë raport kemi dashur që ta vëmë në debat një çështje që luan rol të rëndësishëm në jetën e secilit qytetar, në të drejtat e secilit qytetar,” tha ai.

  1. Tankut Soykan, zëvendës shef i zyrës së Këshillit të Evropës, theksoi se gjuha e urrejtjes dëmton shoqëritë, bëhet cenimi i kohezionit social duke i vënë individët dhe grupet kundër njëri tjetrit.

“Kjo është veçanërisht një qark helmues, ku grupet më të ndjeshme në shoqëri vuajnë më së shumti nga urrejtja dhe stigmatizohen,” tha z. Soykan.

Të gjeturat e raportit u diskutuan në dy panele të ndara. Në panelin e parë, me temë “Gjuha e papërshtatshme në diskursin publik” diskutuan deputetja e Kuvendit të Kosovës, znj. Eliza Hoxha, z. Leonard Kërquki, autor i emisionit “Pressing”, znj. Milica Stojanoviq nga OJQ “Pravo na pravo” dhe z. Artan Muhaxheri, sociolog.

Në panelin e dytë, me temë ““Roli i institucioneve vendore në mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe respektimin e kufijve të saj” morën pjesë: z. Albert Zogaj, Kryetar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, z. Jeton Mehmeti, kryetar i Komisionit të Pavarur për Media, znj. Remzie Shahini Hoxhaj, ligjëruese në departamentin e gazetarisë dhe Imer Mushkolaj, drejtor ekzekutiv i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës.

Pjesëmarrësit e paneleve theksuan se raporti publikohet në kohën kur gjuha e përdorur në publik është e brishtë, e sidomos në rrjete sociale. Nga panelistët u nënvizuar nevoja për të bërë më shumë prej të gjithëve që të shmanget gjuha e urrejtjes, fyerja dhe shpifja, të ruhet privatësia, dhe të kihet kujdes me hapësirën publike që mos të abuzohet.

Raporti bazohet në monitorimin, hulumtimin dhe analizimin e të dhënave të mbledhura nga seancat parlamentare, nga debatet televizive dhe nga komentet në mediat sociale, për periudhën kohore nga viti 2020 deri në vitin 2022.

Nga monitorimi i nëntë seancave parlamentare të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në kohë të ndryshme,  dhe analizimi i 33,000 fjalëve, rezulton se:

  • nuk është gjetur gjuhë e drejtpërdrejtë e urrejtjes. Megjithatë në fjalimet e disa deputetëve është vërejtur përdorimi i gjuhës së urrejtjes në mënyrë indirekte;
  • formë e shprehjes, që mund të përcaktohet si gjuhë e butë e urrejtjes, shfaqet disa herë, të shprehura si fyerje, ose etiketimet e kundërshtarëve politikë, si: “hajdut”, “kriminel”, “bandit”, si dhe përdorimi i shpeshtë i fjalëve: “vjedhje” “korrupsion”, “krim”, “shantazh”, që mund të shihen si shprehje që përfshihen në përkufizimin më të gjerë të gjuhës së urrejtjes, pasi, duke dëmtuar reputacionin e personit të synuar ose të grupit të njerëzve, mund të shkaktojë urrejtje ndaj tyre;
  • edhe pse çështjet e ndjeshme politike ishin në thelb të disa seancave parlamentare, në veçanti të seancës për “Çështjen e Veriut” (4 tetor 2021), nuk ka asnjë gjurmë të fyerjeve apo të stereotipave etnikë në transkriptet e seancave të analizuara.

Raporti po ashtu ka gjetur se në seancën e 16 marsit 2022, deklaratat negative ndaj personave LGBTIQ+ vazhduan dhe u shprehën me zë nga disa deputetë, të cilët jo vetëm që mund të avokonin hapur për “familjen natyrore” dhe “ruajtjen e specieve” dhe “traditave”, por edhe të verbalizonin përmbajtje paragjykuese kundër çifteve të të njëjtit seks.

Nga hulumtimi dhe monitorimi i 23 debateve televizive, të zhvilluara në tri emisione televizive të transmetuar drejtpërdrejt, dhe i gjashtw emisioneve televizive, të transmetuara në You Tube, përfshirë edhe një emision televiziv në gjuhën serbe, është gjetur:

  • kur gjuha në debate televizive është e ashpër, mundësia për të pasur gjuhë të urrejtjes nga komentuesit është shumë më e madhe;
  • nga 12 581 komentet e analizuara del se çdo i shtati koment përmbante gjuhë të urrejtjes dhe në 77.3 % të rasteve të tyre, ato ishin shkaktuar nga diskursi i papërshtatshëm në emisione televizive;
  • në këto komente, kategoritë kryesore të gjuhës së urrejtjes janë: besimi politik (27%), aftësia e kufizuar (14%), metaforat çnjerëzore (13%) dhe përkatësia etnike (8%);
  • orientimi seksual ka qenë cak i gjuhës së urrejtjes në 7 % të totalit. Besimi fetar renditet si kategoria që ka më së paku gjuhë të urrejtjes, më pak se 1%;
  • Për sa i përket gjinisë, 86% e komenteve me gjuhë të urrejtjes janë nga burrat, ndërsa 9.3% janë nga gratë.

Nga monitorimi dhe analizimi i gjuhës në platformat e medieve sociale, përmes analizimit të komenteve nga faqet në Facebook të katër medieve online, Raporti gjen se:

–           gjuha e urrejtjes shfaqet jashtëzakonisht rrallë në publikimet e lajmeve;

–           gjuha e urrejtjes provokohet jo vetëm nga tema që diskutohet, por edhe nga komentet e lexuesve në fillin e debatit;

–           nga 43 511 komente të analizuara, është gjetur se 1 në 15 komente përmban gjuhë të urrejtjes;

–           në komentet në portale, metafora çnjerëzorë, besimi politik, aftësia e kufizuar dhe seksualiteti janë kategoritë më të shpeshta si cak i gjuhës së urrejtjes;

–           raporti gjen se pas seancës së 16 marsit 2022 ka pasur një rritje drastike të numrit të komenteve me gjuhë të urrejtjes;

–           në mediat online në gjuhën shqipe, 7% e komenteve janë vlerësuar si gjuhë e urrejtjes, për shkak të përkatësisë etnike, ndërsa në mediat online në gjuhën serbe, komente të tilla janë të shprehura në 21%.

Raporti u publiku me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës, përmes projektit “Lufta kundër diskriminimit dhe urrejtjes”, që është pjesë e programit të përbashkët “Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë”.

Raportin e plotë e gjeni këtu -> https://shorturl.at/zH238