
Avokati i Popullit takoi studentët dhe diskutoi për të drejtat e njeriut
Prishtinë, 25 janar 2024 – Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj dhe zëvendësit e tij, takuan studentët e programit “The European Master’s Degree in Human Rights and Democratization (EMA)” me seli në Vjenë të Austrisë dhe Venedik të Italisë.
Avokati i Popullit foli fillimisht për mandatin dhe kompetencat e tij, për aktivitetet dhe punën në institucion, procedurat e pranimit të ankesave si dhe promovimi i të drejtave të njeriut në Republikën e Kosovës.
Ai po ashtu foli edhe për bashkëpunimin me institucione vendore dhe ndërkombëtare, si dhe për sfidat dhe problemet me të cilat ballafaqohet.
Studentët ngritën çështje të ndryshme për diskutim si niveli i pronësisë së grave, drejtësia tranzicionale, mjedisi, çështjet që përfshijnë shoqërinë multietnike në Kosovës, si dhe bashkëpunimi me organizatat e shoqërisë civile.
Ky bashkëpunim sivjet ka shënuar 20 vjetorin e tij ku më shumë se 2500 studentë nga e gjithë bota kanë vizituar Kosovën, dhe respektivisht janë shënuar takime me Avokatin e Popullit.