Avokati i Popullit takoi juristët eminentë të Këshillit të Evropës
25/09/2023
Prishtinë, 25 shtator 2023 – Avokati i Popullit, Naim Qelaj priti në takim juristët eminentë, Spiliopolou Akermark dhe Thomas Markert, të cilët po qëndrojnë në Kosovë në një mision fakt mbledhës, në kuadër të procedurës për shqyrtimin e kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Avokati i Popullit foli për gjendjen e të drejtave të njeriut në përgjithësi, dhe për mandatin dhe kompetencat e tij në mbrojtje dhe promovim të të drejtave të njeriut.
Z. Qelaj tha se Institucioni i Avokatit të Popullit është institucion kushtetues për mbrojtjen e të drejtave të njeriut që funksionon në përputhje me parimet më të avancuara të cilat i garantojnë pavarësinë në ushtrim të mandatit dhe ndalojnë çdo ndërhyrje apo ndikim në punën e tij.
Ai shtoi se Kosova ka inkorporuar standardet më të larta të respektimit të të drejtave të njeriut në kushtetutën e saj në përputhje me instrumentet ndërkombëtare.
Tutje, ata biseduan për shumë tema të tjera, por në veçanti ata u interesuan të dinë më shumë në lidhje me çështjet pronësore, të drejtat e njeriut në nivelin lokal, arsimimi në vend dhe çështje që ndërlidhen me luftimin e diskriminimit.