
Avokati i Popullit Naim Qelaj priti në takim gjyqtarët e sapoemëruar
13/11/2023
Prishtinë, 13 nëntor 2023 – Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj priti në takim informues gjyqtarët e sapoemëruar dhe diskutoi për rolin dhe mandatin e tij. Z. Qelaj diskutoi tema të ndryshme me pjesëmarrësit e në veçanti për sfidat e sistemit të drejtësisë dhe sfidat e qytetarëve në realizimin e të drejtave të tyre. Ai i uroi gjyqtarët e rinj për detyrën e re duke iu dëshiruar suksese në punën e tyre.
Z. Basri Kastrati, zëvendës Avokat i Popullit, foli për mandatin dhe punën e Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës dhe trajtimeve e ndëshkimeve tjera mizore, jonjerëzore dhe poshtëruese. Ai tha se mekanizmi harton dhe publikon raporte me rekomandime, të dala nga trajtimi i ankesave dhe kërkesave dhe vizitave të rregullta dhe pa paralajmërim në të gjitha vendet ku mbahen personat e privuar nga liria.
Z. Burim Tahiri, ushtrues detyre i drejtorit të departamentit për Çështje Juridike dhe Hulumtim në IAP, shpjegoi procedurat e brendshme të shqyrtimit të ankesave në pretendimet e qytetarëve për shkelje të të drejtave të njeriut, e deri te përgatitja e rekomandimeve për rastet e tilla. Ai po ashtu foli edhe për relacionin e IAP-së me gjyqësorin.
Akademia e Drejtësisë organizon trajnim një vjeçar për gjyqtarët e sapoemëruar, ku krahas trajnimit praktik nëpër gjykata, gjyqtarët të cilët janë duke e ndjekur trajnimin fillestar realizojnë vizita në institucione të ndryshme të Republikës së Kosovës.