Komunikatë për media – Avokati i Popullit publikoi Raportin me rekomandime për vlerësimin e qasshmërisë për personat me aftësi të kufizuara në objektet dhe në hapësirat publike
Prishtinë, 29 dhjetor 2023 – Avokati i Popullit ka publikuar Raportin me Rekomandime ex officio nr. 479/2022 përkitazi për vlerësimin e qasshmërisë për personat me aftësi të kufizuara bazuar në Udhëzimin Administrativ nr.33/2007 për Kushtet Teknike të Objekteve Ndërtimore për Qasjen e Personave me Aftësi të Kufizuara në komunat e Republikës së Kosovës.
Nga 38 komunat e Republikës së Kosovës, të cilave Avokati i Popullit u ka dërguar kërkesë për plotësimin e pyetësorit, përgjigje kanë dërguar 21 komuna ndërsa 17 komuna nuk janë përgjigjur në kërkesën e Avokatit të Popullit.
Në bazë të informatave që 21 komunat i kanë dërguar mesatarja e përqindjes së plotësimit të kritereve të plotësuara nga të gjitha komunat bashkë është 41%. Ndërsa, 17 komuna që nuk i janë përgjigjur kërkesave të Avokatit të Popullit nuk janë përfshirë në llogaritjen e mesatares së përqindjes së kritereve të plotësuara.
Avokati i Popullit me këtë raport thekson se komunat kanë kompetencë ekskluzive dhe të plotë të ndërmarrin veprime me qëllim të mënjanimit të të gjitha pengesave që pamundësojnë qasjen në objekte dhe në hapësira publike për personat me aftësi të kufizuara. Këto kompetenca janë të përcaktuara edhe në Ligjin nr.04/L-110 për Ndërtim, në të cilin është e përcaktuar korniza ligjore, e cila rregullon lëshimin e lejeve ndërtimore, pajtueshmërinë me kërkesat e lejes ndërtimore dhe lëshimin e certifikatës së përdorimit brenda territorit të Republikës së Kosovës.
Avokati i Popullit u ka drejtuar rekomandime komunave të cilat nuk i plotësojnë kriteret ligjore përkitazi me qasjen e personave me aftësi të kufizuar në hapësirat dhe ndërtesat publike që të ndërmarrin masa në plotësimin e kritereve ligjore lidhur me qasjen e personave me aftësi të kufizuar në objektet dhe në hapësirat publike.
Po ashtu, një rekomandim i është drejtuar edhe Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, që të nxjerrë udhëzimin administrativ të ri për kushtet teknike të objekteve ndërtimore për qasjen e personave me aftësi të kufizuara në komunat e Republikës së Kosovës, në pajtim me Ligjin nr.04/L-110 për Ndërtim.
Rekomandime u janë drejtuar edhe komunave që nuk janë përgjigjur në kërkesat e Avokatit të Popullit bashkë me konstatimin se mos përgjigja ndaj kërkesave të Avokatit të Popullit përbën shkelje të nenit 132, paragrafi 3 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenit 25 të Ligji nr.05/L-019 për Avokatin e Popullit.
Lexoni raportin e plotë -> https://bit.ly/3TCWIoX
Plotësimi i kritereve nga komunat për vlerësimin e qasshmërisë për personat me aftësi të kufizuara bazuar në Udhëzimin Administrativ nr.33/2007 për Kushtet Teknike të Objekteve Ndërtimore për Qasjen e Personave me Aftësi të Kufizuara në komunat e Republikës së Kosovës.
Komunat | Plotësuar | Plotësimi i kritereve (%) |
Deçan | PO | 51% (3% N/A) |
Ranillug | PO | 51% |
Novobërdë | PO | 0% |
Prishtinë | PO | 7% (93% N/A) |
Kaçanik | PO | 51% |
Klinë | PO | 42% (2% N/A) |
Fushë Kosovë | PO | 24% |
Obiliq | PO | 39% |
Ferizaj | PO | 46% |
Istog | PO | 61% |
Pejë | PO | 7% |
Hani i Elezit | PO | 76% |
Mamushë | PO | 46% (29% N/A) |
Viti | PO | 68% (5% N/A) |
Dragash | PO | 39% (2% N/A) |
Rahovec | PO | 68% |
Junik | PO | 49% (10% N/A) |
Kllokot | PO | 37% (2% N/A) |
Mitrovicë e Jugut | PO | 10% |
Graçanicë | PO | 19% (15% N/A) |
Drenas | PO | 73% (3% N/A) |
Kamenicë | JO | / |
Lipjan | JO | / |
Leposaviq | JO | / |
Gjakovë | JO | / |
Gjilan | JO | / |
Malishevë | JO | / |
Podujevë | JO | / |
Prizren | JO | / |
Shtime | JO | / |
Skenderaj | JO | / |
Suharekë | JO | / |
Vushtrri | JO | / |
Mitrovicë e Veriut | JO | / |
Partesh | JO | / |
Shtërpcë | JO | / |
Zubin Potok | JO | / |
Zveçan | JO | / |