Featured Image

Komunikatë për media – Avokati i Popullit publikoi Raportin me rekomandime në lidhje me bazën ligjore të rivlerësimit mjekësor për personat Paraplegjik dhe Tetraplegjik

28/12/2023

Prishtinë, 28 dhjetor 2023 – Avokati i Popullit konstatoi se detyrimi për t’iu nënshtruar rivlerësimit mjekësor të aftësisë së kufizuar për personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë shkel dinjitetin e njeriut, dhe është në kundërshtim me parimet e sundimit të ligjit, si dhe me pritjet legjitime të përfituesve nga Ligji për Statusin dhe të Drejtat e Personave Paraplegjik dhe Tetraplegjik.

Këto konstatime kanë dal nga raporti me rekomandime Ex officio nr. 521/2022 në lidhje bazën ligjore të rivlerësimit nga Komisioni për Vlerësimin dhe Përcaktimin e Procedurave për Njohjen e Statusit dhe të të Drejtave të Personave Paraplegjik dhe Tetraplegjik.

Raporti ka për qëllim të tërheqë vëmendjen e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për çështjet që kanë të bëjnë me bazën ligjore të rivlerësimit të aftësisë së kufizuar nga Komisioni për Vlerësimin dhe Përcaktimin e Procedurave për Njohjen e Statusit të Personave Paraplegjik dhe Tetraplegjik, sipas Ligjit nr. 05/L-067 për Statusin dhe të Drejtat e Personave Paraplegjik dhe Tetraplegjik.

Gjithashtu raporti ka për qëllim ta vendosë theksin në bazën ligjore për rivlerësim, nga Komisioni për Vlerësim, në Rregulloren (QRK) nr.07/2017 për Përbërjen, Funksionimin, Përgjegjësitë e Komisionit Vlerësues dhe Përcaktimin e Proceduarve për Njohjen e Statutit dhe të të Drejtave të Personave Paraplegjik dhe Tetraplegjik.

Avokati i Popullit konstatoi se Ligji për Statusin dhe të Drejtat e Personave Paraplegjik dhe Tetraplegjik nuk përcakton rivlerësimin e statusit të personave paraplegjikë dhe tetraplegjikë dhe se rivlerësimi, grupet e përfituesve dhe afatet e rivlerësimit janë përcaktuar me nenin 9 të Rregullores (QRK) Nr. 07/2017.

Avokati i Popullit i rekomandon Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve ta plotësojë dhe ta ndryshojë Rregulloren (QRK) Nr. 07/2017 për Përbërjen, Funksionimin, Përgjegjësitë e Komisionit Vlerësues dhe Përcaktimin e Procedurave për Njohjen e Statusit dhe të të Drejtave të Personave Paraplegjik dhe Tetraplegjik, në atë mënyrë që nga kjo rregullore të fshihen dispozitat që përcaktojnë rivlerësimin e personave paraplegjikë dhe tetraplegjikë, të grupit të parë, në çdo pesë vjet; dhe që përfituesit e grupit të dytë të rivlerësohen në rastet e caktuara, kur natyra e sëmundjes është në zhvillim të shpejtë dhe për pasojë ka përkeqësimin e gjendjes shëndetësore.

Po ashtu, Avokati i Popullit i ka rekomanduar ministrisë t’i iniciojë procedurat për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-067 për Statusin dhe të Drejtat e Personave Paraplegjik dhe Tetraplegjik në atë mënyrë që të drejtat dhe detyrimet që kanë të bëjnë me personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë të specifikohen me ligj të miratuar nga Kuvendi dhe jo me rregullore të Qeverisë.

Raporti i plotë -> https://bit.ly/3RCoTS9