Avokati i Popullit prezantoi statistikat preliminare për vitin 2023
Prishtinë, 26 dhjetor 2023 – Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj në konferencën vjetore me media ka prezantuar statistikat preliminare për vitin 2023 të Institucionit të Avokatit të Popullit.
Gjatë këtij viti, Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) ka pranuar 1.571 ankesa, me gjithsejtë 4.152 qytetarë të përfshirë në këto ankesa. Nga ky numër i ankesave, 608 janë hapur për hetime ndërsa 38 raste janë hapur sipas detyrës zyrtare. IAP ka nisur hetime në 12 raste bazuar nga raportimet e mediave.
Qytetarët më së shumti janë ankuar në lidhje me të drejtën e punës dhe ushtrimit të profesionit (226 raste), E drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm (195 raste), E drejta për mjete juridike (118), Barazia para ligjit me 83 raste e të tjera.
Autoritetet përgjegjëse ndaj të cilave janë drejtuar ankesat (një ankesë mund të ketë më shumë se një pale përgjegjëse) janë: Gjykatat me 451 raste, Ministritë me 429 raste, Komunat me 210 raste, Prokuroritë shtetërore me 69 raste, Policia e Kosovës me 53 raste e të tjera.
Numri i përgjithshëm i rasteve të mbyllura nga IAP gjatë vitit 2023 (jo vetëm rastet e vitit 2023, por edhe rastet e regjistruara më herët e të mbyllura gjatë këtij viti) është 541 raste të mbyllura. Nga kjo shifër, 210 janë zgjedhur pozitivisht, 140 raste kanë qenë të papranueshme sepse nuk është gjetur shkelje apo keqadministrim, 63 raste të papranueshme sepse rastet kanë qenë në shfrytëzim të mjeteve juridike, 59 raste janë mbyllur me raport, 29 të papranueshme, mos shfrytëzim i mjeteve juridike; 25 raste janë mbyllur për shkak të mosinteresimit të ankuesit, dështim i palës; dhe 11 raste tjera kanë qenë të papranueshme për shkak se rastet kanë qenë jashtë juridiksionit.
Për vitin 2023, Avokati i Popullit ka nxjerrë 230 rekomandime, prej të cilave vetëm 40 rekomandime janë zbatuar nga autoritetet përgjegjëse ose 17,4 për qind. Rekomandime pjesërisht të zbatuara janë 3 për qind, ndërsa në pritje për zbatim mbesin 80 për qind e rekomandimeve.
Avokati i Popullit prezantoi disa nga raportet me rekomandime sipas të drejtave të garantuara me Kushtetutë të Republikës së Kosovës, siç janë të drejtat e fëmijëve, të drejtat në arsim, të drejtat e personave me aftësi të kufizuar, të drejtat e personave të moshuar, zvarritjet e procedurave gjyqësore e të tjera.