Komunikatë për media lidhur me shkresën e Avokatit të Popullit drejtuar Presidentes së vendit znj. Vjosa Osmani – Sadriu përkitazi me diskutimet rreth çështjes së përfaqësimit gjinor në listat zgjedhore të subjekteve politike
Prishtinë, 22 dhjetor 2022 – Duke iu referuar diskutimit në takimin e tretë të Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, të mbajtur më datën 21 dhjetor 2023, ku mes të tjerash është diskutuar rreth çështjes së përfaqësimit gjinor në listat zgjedhore të subjekteve politike, Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj i është drejtuar me një shkresë Presidentes së vendit znj. Vjosa Osmani – Sadriu lidhur me çështjen e ngritur.
Avokati i Popullit e ka njoftuar Presidenten me vlerësimin nga ana e tij të nenit 28 [Kuota gjinore] të Ligjit nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës. Sipas analizës së këtij neni rezulton se formulimi i nenit 28 në tërësinë e tij, në veçanti në paragrafin 1, nuk dallon nga neni përkatës, neni 27, i Ligjit Nr. 03/L-073 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, tanimë i shfuqizuar me Ligjin nr. 08/L-228 për Zgjedhjet.
Përcaktimi i kuotës prej 30% për secilën gjini, sipas nenit 28, paragrafi 1, në dukje nuk paraqet trajtim të pabarabartë mes meshkujve dhe femrave, megjithatë në praktikë nuk ka pasur raste kur subjektet politike i kanë dërguar për certifikim listat e kandidatëve me 50% femra dhe 50% meshkuj. Vendosja e kriterit prej 30 për qind e përligj trajtimin e pabarabartë, sepse subjektet politike e plotësojnë kriterin ligjor për të garuar në zgjedhje me dërgimin e listës së kandidatëve me 30% femra në listat zgjedhore, ndërsa pjesa tjetër u lihet në vullnetin e tyre, rrjedhimisht në praktikë femrat vazhdimisht mbeten të nën përfaqësuara.
Ndërsa sipas nenit 3 të Protokollit 1 [E Drejta për Zgjedhje të Lira] të drejtat e garantuara nuk kufizohen në të drejtën për të kandiduar në zgjedhje ose në vetë zgjedhjet, por mbulojnë periudhën nga fushata zgjedhore deri në ushtrimin aktual të detyrës.
Avokati i Popullit ka vlerësuar se dispozitat e nenit 28, mund të mos jenë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës sa i përket sa i përket barazisë para ligjit, sipas nenit 24 të Kushtetutës dhe sa u përket të drejtave zgjedhore dhe të pjesëmarrjes, sipas nenit 45 të Kushtetutës.
Avokatit të Popullit i ka sugjeruar Presidentes së vendit që do të mirëpriste nismën për amendamentimin dhe ndryshimin e nenit 28 të Ligjit nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës,, në mënyrë që femrave dhe meshkujve t’u garantohet qasje e barabartë faktike për kandidaturë në listat zgjedhore të subjekteve politike, gjithmonë duke pasur në konsideratë afatet ligjore, pasi më 18 janar 2024 përfundon afati 6-mujor i përcaktuar për Avokatin e Popullit për ngritjen e çështjes së kushtetutshmërisë të ligjeve të miratuara nga Kuvendi, sipas Ligjit Nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.