
Komunikatë për media – Avokati i Popullit publikoi Raportin me rekomandime në lidhje me punësimin në institucionet qendrore dhe lokale të personave me aftësi të kufizuara
Prishtinë, 19 dhjetor 2023 – Avokati i Popullit, gjatë vitit 2022, ka zhvilluar hetime me qëllim të verifikimit nëse niveli i punësimit të personave me aftësi të kufizuar është në përputhje me dispozitat dhe detyrimet ligjore, veçanërisht me Ligjin nr. 03/L-019 për Aftësimin, Riaftësimin Profesional dhe Punësimin e Personave me Aftësi të Kufizuara, si dhe të verifikimit nëse niveli aktual i punësimit të personave me aftësi të kufizuara në Republikën e Kosovës paraqet diskriminim, gjegjësisht nëse respektohet parimi i barazisë para ligjit.
Për këtë qëllim, zyra e Avokatit të Popullit ka zhvilluar një hetim gjithëpërfshirës, ku janë përfshirë Qeveria e Republikë së Kosovës dhe 38 komunat e Republikës së Kosovës.
Për sa i përket nivelit qendror, Avokati i Popullit ka pranuar përgjigje nga Zyra për Qeverisje të Mirë, prej nga rezulton se në nivelin qendror, ku përshihen Zyra e Kryeministrit dhe 15 ministri, 3 ministri nuk e kanë përmbushur kriterin ligjor për punësimin e personave me aftësi të kufizuar, ndërsa 6 ministri këtë kriter e përmbushin pjesërisht.
Për sa i përket nivelit lokal, nga 38 komuna, përgjigje kanë dërguar 26 prej tyre, prej të cilave 7 komuna nuk e kanë përmbushur kriterin ligjor për punësimin e personave me aftësi të kufizuar, 8 komuna pjesërisht e plotësojë kriterin ligjor për punësimin e personave me aftësi të kufizuar, 4 komuna nuk kanë ofruar të dhëna për punësimin e personave me aftësi të kufizuar, ndërsa 12 komuna nuk u janë përgjigjur kërkesave të Avokatit të Popullit në pajtim me Kushtetutën dhe me Ligjin për Avokatin e Popullit.
Rrjedhimisht, Avokati i Popullit, mes të tjerash, ka konstatuar se është shkelur Neni 1 i Protokollit nr. 12 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, që ka të bëjë me ndalimin e përgjithshëm të diskriminimit, e që përcakton: “Gëzimi i çdo të drejte të parashikuar me ligj duhet të sigurohet pa asnjë diskriminim të bazuar në shkaqe të tilla si seksi, raca, ngjyra, gjuha, feja, mendimet politike ose çdo mendim tjetër, origjina kombëtare ose shoqërore, përkatësia në një minoritet kombëtar, pasuria, lindja ose çdo situatë tjetër.”
Obligimi për punësimin e personave me aftësi të kufizuar është parashikuar me Ligjin nr. 03/L-019 për Aftësimin, Riaftësimin Profesional dhe Punësimin e Personave me Aftësi të Kufizuara.
Andaj Avokati i Popullit ka adresuar rekomandime për ministritë dhe komunat që nuk e përmbushin këtë obligim, që parashikon të drejta për persona me aftësi të kufizuar, të ndërmarrin masa të synuara specifike që në përputhje me rregullativën ligjore t’i përmbushin detyrimet ligjore lidhur me punësimin e personave me aftësi të kufizuara.
Raporti i plotë -> https://bit.ly/48Hdx6z