Komunikatë për media – Avokati i Popullit publikoi Raportin me rekomandime lidhur me cilësinë e përkthimeve të akteve juridike dhe mospërputhjen e tyre gjuhësore
Prishtinë, 15 dhjetor 2023 – Avokati i Popullit publikoi një raport lidhur me cilësinë e përkthimit të akteve juridike dhe mospërputhjen e tyre gjuhësore, veçanërisht në gjuhën serbe. Shkas për publikimin e këtij raporti ka qe fakti se gjatë punës së përditshme në Institucionin e Avokatit të Popullit janë hasur versione gjuhësore joidentike, në një numër aktesh ligjore e nënligjore, madje edhe në vetë Kushtetutën në versionet zyrtare të gjuhëve – shqip e serbisht.
Këto dallime përfshijnë gabime përmbajtjesore, terminologjike, gramatikore, drejtshkrimore dhe tipografike, të cilat nënkuptojnë përkthim tërësisht ose pjesërisht të papërshtatshëm të fjalëve nga gjuha shqipe në gjuhën serbe, mungesën e përkthimeve të pjesëve të tekstit, si dhe shtimin e pjesëve të fjalive që nuk ekzistojnë në tekstin origjinal.
Avokati i Popullit rikujton se Kushtetuta e Republikës së Kosovës e definon se gjuhë zyrtare janë gjuha shqipe dhe gjuha serbe. Më tej Kushtetuta e përcakton se të gjithë janë të barabartë para ligjit dhe se kushdo e ka të drejtën e mbrojtjes së barabartë juridike, pa diskriminim, ndër të tjerash, në bazë të gjuhës. Në situata të tilla, kur versionet e gjuhëve në akte normative nuk janë identike, mund të shpijë në situata ku interpretimi bëhet kompleks, subjektiv dhe shpie pashmangshëm në trajtim të pabarabartë.
Prandaj Avokati i Popullit ka drejtuar rekomandime për:
Kuvendin e Republikë së Kosovës që, sa më parë të jetë e mundur, ta miratojë Projektligjin nr. 06/L-030 për Aktet Juridike dhe me këtë ta sigurojë bazën ligjore për harmonizimin dhe korrigjimin e gabimeve gjuhësore ose teknike në aktet ligjore, në rast të mospërputhjeve ndërmjet gjuhëve zyrtare; dhe
Qeverinë e Republikës së Kosovës t’i ndërmarrë masat e nevojshme me të cilat do të sigurohet harmonizimi i legjislacionit dhe korrigjimi i gabimeve thelbësore, gjuhësore, terminologjike, gramatikore dhe drejtshkrimore, qoftë në versionet gjuhësore ekzistuese të ligjeve, qoftë ato në proces hartimi, me ç’ rast do të arrihet besueshmëria e plotë e versioneve të ndryshme gjuhësore të ligjit.
Raportin e plotë e gjeni këtu -> http://bit.ly/47WCHxH