Featured Image

Deklarata e Avokatit të Popullit me rastin e Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut

10/12/2023

Prishtinë, 10 dhjetor 2022 – Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj në shënim të 75 vjetorit të miratimit të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut, vlerëson përpjekjet e pandalshme të aktivistëve të të drejtave të njeriut, që shtet ndërtimi i Republikës së Kosovës të jetë në përputhje me vlerat dhe synimet e shprehura në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut.

Deklarata universale dëshmon që nuk është e mjaftueshme vetëm vendosja e kornizave dhe parimeve që përcaktojnë të drejtat e njeriut si vlera që duhet respektuar, por duhet që këto parime dhe vlera të gjejnë zbatim praktik dhe në jetën tonë të përditshme, e ku roli i shtetit është vendimtar.

Republika e Kosovës vazhdon progresin e  saj në avancimin dhe respektimin e të drejtave të njeriut, duke qenë vendi model ku  sovraniteti i shtetit buron nga qytetari i saj dhe ku respektimi i të drejtave të njeriut është themeli i shtetit.

Republika e Kosovës vazhdon të ballafaqohet me sfida për anëtarësim në mekanizma ndërkombëtar e rajonal, për të qenë anëtare e barabartë me shtetet tjera. Në këtë ditë, Avokati i Popullit i bën thirrje qeverisë dhe të gjithë partnerëve ndërkombëtar që të  angazhohen seriozisht që vendi ynë të jetë pjesë e Këshillit të Evropës, si institucioni më i rëndësishëm evropian për  të drejtat dhe liritë e njeriut.

Avokati i Popullit theksoi se anëtarësimi në mekanizmat e Këshillit të Evropës do të krijojë rrethana shumë më të përshtatshme për avancim të të drejtave të njeriut në vend. Në anën tjetër, do të jetë garanci e plotë për qytetarët e Republikës së Kosovës në respektim të drejtave të tyre nga autoritetet publike për shkak të mbikëqyrjes dhe detyrimeve që do të ketë shteti në këto mekanizma.

Edhe përkundër progresit të konstatuar Avokati i Popullit ka vazhduar të pranojë ankesa nga qytetarët për shkelje të të drejtave të tyre nga ana e autoriteteve publike. Nga rastet e hetuara, vazhdon të jetë shqetësuese gjendja e të drejtave të fëmijëve në arsim, rritja e rasteve të dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore,  mbrojtja gjyqësore e të drejtave për shkak të zvarritjeve të procedurave gjyqësore, keqadministrimi, dhe mos efikasiteti i autoriteteve në përgjigje të kërkesave të qytetarëve.

Avokati i Popullit në vazhdimësi gjatë vitit ka tërheq vëmendjen e autoriteteve për masat që duhen ti ndërmerr shteti me qëllim që të sigurohet që personat me aftësi të kufizuar ti gëzojnë të drejtat e garantuara, gjendja e të cilëve vazhdon të jetë e cenueshme.

Gjithashtu, shqetësuese del të jetë edhe gjuha e urrejtjes në komunikimin publik, dhe paaftësia e shtetit që me masa efikase dhe të përshtatshme, të ndikoj në parandalim përmes edukimit të hershëm dhe efikasitetit në reagim. Grupet më të cenueshme nga gjuha e urrejtjes vazhdojnë të jenë personat e komunitetit LGBTQI+, pjesëtarët e komuniteteve jo shumicë dhe personat me aftësi të kufizuar.

Avokati i Popullit do të vazhdojë të jetë derë e hapur për secilin qytetarë të Republikës së Kosovës,  në çdo rast pa dallim kur konsiderojnë se po iu cenohen të drejtat dhe liritë e garantuara nga veprimi apo mosveprimi i autoriteteve publike. Në anën tjetër, Avokati i Popullit i bën thirrje autoriteteve publike të vazhdojnë progresin në respektimin e rekomandimeve të Avokatit të Popullit sepse ato kanë të bëjnë me jetën e qytetarëve, kushtet dhe standardin e jetës dhe respektimin e të drejtave të njeriut të bazuara në dinjitet dhe barazi.