Avokati i Popullit diskutoi për të drejtat e njeriut me studentët në Gjakovë
Prishtinë, 7 dhjetor 2023 – Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj mbajti një ligjëratë të enjten me studentët e Fakultetit të Shkencave Sociale të Universitetit Publik “Fehmi Agani” në Gjakovë.
Fillimisht ai takoi z. Drilon Bunjaku, Rektor i Universitetit të Gjakovës, znj. Nazli Tyfekqi, Prorektore për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte, dhe z. Arben Boshnjaku, Prorektor për Hulumtime dhe Kërkime Shkencore, Zhvillim Akademik dhe Ngritje të Cilësisë.
Avokati i Popullit fillimisht u shpjegoi studentëve për mandatin dhe kompetencat e tij në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe fushat e përgjegjësisë bazuar në Ligjin për Avokatin e Popullit.
Z. Qelaj përshkroi në terma praktik pranimin e një ankese të qytetarit dhe procesin e trajtimit. Ai foli edhe për llojet dhe numrin e ankesave që Avokati i Popullit i pranon brenda një viti.
Gjatë diskutimit të pranishmit ngritën disa çështje që i preokuponin si pjerrinat dhe pengesat fizike, testimet në fakultet për personat e verbër, problematikat tjera në arsim, lidhja e kontratës, e të tjera.
Vlen të theksohet ky takim ishte i planifikuar dhe u realizua në kuadër të konkretizimit të bashkëpunimit të bazuar në Marrëveshjen e Mirëkuptimit ndërmjet IAP-së dhe UGj-së (nr. 01-207-3), e datës 12 shkurt 2021.
Universiteti i Gjakovës ka marrëveshje bashkëpunimi me Avokatin e Popullit me të cilin promovojnë punën së bashku në frymën e barazisë, transparencës, lehtësimit të pjesëmarrjes në zhvillimin e kapaciteteve të nevojshme në drejtimin e studimeve shkencore dhe aplikimit të tyre.