
Avokati i Popullit takoi përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile nga rajoni i Pejës
Pejë, 5 dhjetor 2023- Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj mori pjesë në tryezën e rrumbullakët për të drejtat e njeriut, e cila u organizua nga Qendra Avokuese për Kulturë Demokratike (ACDC), në të cilën morën pjesë organizatat e shoqërisë civile nga rajoni i Pejës.
Kjo tryezë kishte për qëllim të ngrit vetëdijen dhe të kuptuarit e çështjeve të të drejtave të njeriut në terren nga perspektivat e komuniteteve të prekura dhe të lehtësojë bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet Institucionit të Avokatit të Popullit dhe organizatave të shoqërisë civile në këtë rajon.
Z. Qelaj në fjalën e tij hyrëse foli lidhur me mandatin e Avokatit të Popullit, çëshjet e ngritura nga ky institucion që prekin çështjet e komuniteteve dhe grupeve të cenueshme si dhe bashkëpunimin e mirë që ekziston me organizata të shoqërisë civile.
“Organizatat e shoqërisë civile janë partnere të përhershme të institucionit, prandaj ne e kemi themeluar Forumin e Dialogut me Shoqërinë Civile, përmes të cilit marrim informata të vlefshme lidhur me problemet sistematike të të drejtave të njeriut që ekzistojnë në vendin tonë, të cilat pastaj i adresojmë përmes raporteve me rekomandime që i fillojmë me vetë-iniciativë (ex. officio)”.
Ai tutje theksoi rëndësinë që këto organizata t’i qasën institucionit dhe të ngritin shqetësimet e komuniteteve që përfaqësojnë, sepse vetëm në këtë mënyrë Institucioni mund të ndikojë në përmirësimin e respektimit të të drejtave të njeriut të cilat janë të garantuara me standarde ligjore dhe ndërkombëtare.
Pjesëmarrësit gjatë tryezës shpërfaqen një sërë problemesh me të cilat ballafaqohen qytetarët nga rajoni i Pejës, përfshirë çështjet sociale, gjithëpërfshirja, nevoja për buxhet të qëndrueshëm për organizatat që ofrojnë shërbime sociale për grupet e cenueshme, përfshirë fëmijët me aftësi të kufizuara, punësimi i personave me aftësi të kufizuar, respektimi i të drejtave gjuhësore, e një sërë çështjesh tjera të cilat do të adresohen nga institucioni ynë kudo që lejon mandati kushtetues dhe ligjor.