Featured Image

Avokati i Popullit mori pjesë në inaugurimin e muralit për nder të aktivistit Faruk Kukaj

03/12/2023

Prishtinë, 3 dhjetor 2024 – Për nder të Ditës së Personave me Aftësi të Kufizuara, më 3 dhjetor 2023, Avokati i Popullit dhe bashkëpunëtorët e tij morën pjesë në inaugurimin e muralit te Fakulteti i Arteve në Prishtinë, i cili e paraqet Faruk Kukajn si simbolin e betejës për të drejtat e personave me aftësi të kufizuar.

Me këtë rast, Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ri-konfirmoi rolin e tij si mbrojtës i të drejtave të personave me aftësi të kufizuar, duke treguar gatishmërinë e tij për të qenë partner i këtij komuniteti të ndjeshëm në adresimin e çështjeve përkatëse tek autoritetet kompetente, përfshirë këtu edhe gjykatat.

Si shembull të këtij përkushtimi, ai përmendi rastin e Kukajt, ku Avokati i Popullit, në cilësinë e “mikut të gjykatës” kishte shprehur qëndrimin e tij se sfidat e personave për qasje në hapësirat publike, i vejnë ata në pozitë të pabarabartë dhe diskriminuese, në raport me personat e tjerë.

Faruk Kukaj është qytetari i parë me aftësi të kufizuar që ka ngritur padi për diskriminim ndaj Komunës së Prishtinës, duke shprehur pamundësinë e qasjes në objektet publike. Edhe pse gjykata e ka aprovuar vetëm pjesërisht padinë e tij, megjithatë, sipas Avokatit të Popullit, ky rast paraqet një moment shembullor në Republikën e Kosovës, ku një vendim gjyqësor vërteton diskriminimin ndaj personave me aftësi të kufizuar, në aspektin e kufizimit të qasjes në hapësirat publike.