
Komunikatë për media – Avokati i Popullit publikoi raportin me rekomandime lidhur me mungesën e kushteve të përshtatshme për banim të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian të kthyer nga Maqedonia e Veriut në Obiliq
Prishtinë, 17 nëntor 2023 – Avokati i Popullit në bazë të mandatit të tij kushtetues dhe sipas kompetencave dhe përgjegjësive të përcaktuara me Ligjin për Avokatin e Popullit, më 10 nëntor 2023, ka publikuar Raportin me Rekomandime Ex officio nr. 453/2018 lidhur me mungesën e kushteve të përshtatshme për banim të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian të kthyer nga Maqedonia e Veriut në Obiliq.
Raporti ka për qëllim të tërheqë vëmendjen e qeverisjes lokale dhe asaj qendrore për nevojën e ndërmarrjes së veprimeve me qëllim të krijimit të kushteve të dinjitetshme dhe të përshtatshme të jetesës për të kthyerit në fshatit Plemetin.
Avokati i Popullit vlerëson se çështjet lidhur me të kthyerit në fshatin Plemetin janë shtresuar me vite, si procesi dhe mënyra e kthimit, koncentrimi i të kthyerve në një hapësirë të caktuar, mungesa e pronës, fakti që të kthyerit nuk kanë qenë banorë të këtij lokaliteti më parë, reagimi dhe mënyra e pranimit të të kthyerve nga komuniteti pritës, mungesa e regjistrimit në regjistrat e gjendjes civile, etj.
Ky raport, nëpërmjet një analize të gjendjes aktuale, veprimeve të deritanishme të autoriteteve dhe analizës ligjore, synon të adresojë nevojën e ndërmarrjes së veprimeve nga ana e autoriteteve në drejtim të ndryshimit të kësaj gjendjeje. Në këtë drejtim, Avokati i Popullit ka konstatuar se ka shkelje të së drejtës për të zgjedhur vendbanimin, e drejtë kjo e garantuar me nenin 35 të Kushtetutës dhe shkelje të Nenit 1 të Protokollit 12 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, i cili shtrin fushën e mbrojtjes për “çdo të drejtë të parashikuar nga ligji” dhe vendosë një ndalim të përgjithshëm të diskriminimit, që nënkupton situata kur çështja bie në fushën e veprimit të një të drejte substanciale të garantuar nga ligji i brendshëm.
Duke u bazuar në situatën komplekse të kthimit të tanishëm dhe shqetësimet e banorëve të Plemetinit, Avokati i Popullit vlerëson se çështja duhet të zgjidhet përmes bashkëpunimit të autoriteteve qendrore përkatëse, përfshirë këtu Ministrinë për Kthim dhe Komunitete, Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, me Komunën e Obiliqit, duke rekomanduar, si në vijim:
Ministrinë për Komunitete dhe Kthim që në bashkëpunim me komunat në Republikën e Kosovës, të krijojë kushte për kthim të qëndrueshëm, mbrojtje, integrim dhe zhvillim të komuniteteve bazuar në misionin dhe vizionin për të cilin është themeluar si institucion shtetëror.
Komunën e Obiliqit që të ndërmarr veprime për krijimin e kushteve të përshtatshme për banim për familjet e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, të kthyera në fshatin Plemetin, pavarësisht vendbanimit të tyre të mëparshëm, në përputhje me Ligjin nr.03/L-164 për Financimin e Programeve të Veçanta të Banimit në Republikën e Kosovës si dhe që të ketë parasysh zbatimin e Rregullores nr.01/2018 për Kthimin e Personave të Zhvendosur dhe Zgjidhje të Qëndrueshme, në kuptim të alokimit të tokës komunale me të drejta të shfrytëzimit në pajtim me këtë rregullore dhe me legjislacionin përkatës në fuqi.
Raportin e plotë e gjeni këtu -> http://bit.ly/3QLX6yo