Avokati i Popullit merr pjesë në Konferencën Ndërkombëtare në Malta
Prishtinë, 1 nëntor 2023 – Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj, po merr pjesë në konferencën ndërkombëtare me temë “E drejta për miradministrim: Mit, aspiratë apo realitet?”, organizuar nga Asociacioni i Ombudsmanëve të Mesdheut (AOM) në bashkëpunim me Ombudsmanin Parlamentar të Maltës, më datat 31 tetor-1 nëntor, në Valleta të Maltës.
Qëllimi i kësaj konference ishte të diskutohet lidhur me rolin e Omudsmanëve për të drejtën në miradministrim, duke promovuar dhe siguruar se administrata publike vepron në mënyrë transparente dhe llogaridhënëse dhe i trajton qytetarët në mënyrë të drejtë dhe pa diskriminim.
Punimet e konferencës u ndanë në 4 sesione që trajtuan këto nën-tema:
- Roli i Ombudsmanit në miradministrim
- E drejta për miradministrim, të drejtat e njeriut dhe privatësia
- Përmirësimi i marrëdhënies ndërmjet institucioneve të pavarura dhe administratës publike
- Qasja ndaj qytetarëve: Ombudsmani si mbrojtës i të drejtave të qytetarëve
Në kuadër të takimeve të përbashkëta me homologët e tij, z. Qelaj pati mundësi të ndajë përvojën e institucionit lidhur me miradministrimin, kornizën ligjore të avancuar e cila është e zbatueshme në Kosovë si dhe punën e institucioneve që garantojnë zbatimin e parimeve të miradministrimit në shtetin tonë.
Në fund të takimit, u miratua Deklarata e Maltës për Miradministrimin e cila i rekomandon të gjitha autoriteteve shtetërore të shteteve të regjionit të Mesdheut të përfaqësuar në Asociacionin e Ombudsmanëve të Mesdheut që të njohin të drejtën në miradministrim në legjislacionin dhe politikat e tyre dhe ta zbatojnë atë.
Pjesëmarrësit e konferencës u pritën në një darkë zyrtare organizuar nën patronatin e z. George Vella, Presidenti i Republikës së Maltës, në rezidencën e tij në Pallatin Verdala.
Asociacioni i Ombudsmanëve të Mesdheut (AOM), u krijua në vitin 2008 në Marsejë të Francës me qëllim të promovimit të demokracisë, sundimit të ligjit dhe paqes sociale në regjionit të Mesdheut. Ai punon për avancimin e respektimit të të drejtave të njeriut dhe bashkëpunimit ndërkombëtar me organizata të tjera që janë të përkushtuara për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Institucioni i Avokatit të Popullit të Republikës së Kosovës, është anëtar me të drejta të plota në këtë Asociacion, që prej vitit 2016.