Featured Image

Avokati i Popullit vizitoi pikën kufitare të Vërmicës

27/10/2023

Prishtinë, 27 tetor 2023 – Avokati i Popullit, Naim Qelaj, zëvendësi i tij, Basri Kastrati dhe Shqipe Ibraj Malaj, drejtore e Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës, vizituan pikën kufitare të Vërmicës, ku u pritën nga nënkoloneli i Policisë së Kosovës, Fazli Rugova, departamenti i kufirit.

Ky i fundit dhe zyrtarët tjerë të policisë së Kosovës prezantuan punën dhe aktivitetet e tyre që i mbulojnë sa i përket detyrave të policisë kufitare. Ata ofruan statistika dhe paraqitën punën e përbashkët të policisë së Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, sa i përket emigrantëve dhe azilkërkuesve, të cilët kalojnë në mënyrë ligjore dhe joligjore nëpër këto dy shtete.

Ata theksuan se prej muajit janar e deri më tetor të këtij viti, nëpër këtë pikë kufitare kanë kaluar mbi nëntë milionë qytetarë, duke e konsideruar si fluksin më të madh ndonjëherë në pikën kufitare të Vërmicës. Kjo pikë e kalimit kufitar, me vijë të gjelbër prej 42 kilometra, patrullohet së bashku me policinë kufitare të Republikës së Shqipërisë.

Policia kufitare theksoi se emigrantët e shfrytëzojnë territorin e Kosovës si shtet transitor. Ata shtuan se nuk ka pasur asnjë ankesë të vetme ndaj policisë kufitare në lidhje me trajtimin e të huajve që kalojnë nëpër territorin e Kosovës duke ofruar mbrojtje dhe shërbime për ta sipas konventave ndërkombëtare për refugjatët.

Avokati i Popullit, Naim Qelaj tha se vizitat e tillë rrisin bashkëpunimin dhe është i gatshëm që të vazhdojë bashkëpunimin edhe në fusha tjera me qëllimin e vetëm që të përmirësohet edhe më shumë respektimi i të drejtave të njeriut. Ai u informua po ashtu për numrin e vogël të policëve kufitar dhe nevoja e madhe për shtim të kapaciteteve njerëzore dhe përkrahjes më të madhe buxhetore.

Të pranishmit kishin mundësinë për të parë hapësirat ku pranohen dhe përcillen azilkërkuesit dhe emigrantët. Kjo pikë kufitare posedon dy dhoma të ndalimit të përkohshëm dhe një dhomë të intervistimit. Po ashtu, u vizituan edhe hapësirat ku bëhen kontrollet e makinave dhe e personave.

Kjo vizitë u organizua nga UNHCR dhe organizata Programi për të Drejtat Civile në Kosovë (CRPK).