Avokati i Popullit vizitoi minatorët grevistë të Trepçës
Prishtinë, 26 tetor 2023 – Avokati i Popullit, Naim Qelaj vizitoi të enjten minatorët e minierës me flotacion “Trepça”, të cilët kanë hyrë në ditën e tretë të grevës.
Avokati i Popullit fillimisht takoi kryetarin e sindikatës së pavarur të minatorëve të Trepçës, Ibrahim Jonuzi, dhe përfaqësues tjerë të sindikatës, të cilët dhanë informata për ecurinë e grevës së rreth 700 minatorëve, si dhe për kërkesat e tyre.
Jonuzi theksoi se në dy ditët e para, gjendja shëndetësore e disa grevistëve u është përkeqësuar dhe kanë kërkuar ndihmë mjekësore. Ai tha se greva do të vazhdojë deri sa t’u plotësohen tri kërkesa: realizimi pagës mujore me kohë nga data 6 – 10 e muajit; shkarkimi i menaxhmentit (kryeshefit) dhe sigurimi shëndetësor dhe kushtet e punës.
Sindikalistët po ashtu u ankuan për kushtet e punës, trajtimin diskriminues dhe mos përmbushjen e detyrimeve nga menaxhmenti sa i përket pagesës së trustit dhe shumë çështjeve tjera që kanë të bëjnë me të drejtat e minatorëve dhe të punësuarve tjerë.
Avokati i Popullit më pastaj vizitoi grevistët brenda në minierë dhe pa për së afërmi gjendjen e tyre dhe bisedoi me ta.
Avokati i Popullit theksoi se kujdesi institucional duhet të ekzistojë ndërsa për vërejtjet e sindikatës që i kanë për menaxhmentin dhe drejtuesit e kësaj miniere padyshim që ka vend për t’u ulur dhe për të diskutuar. Ai shtoi se për të mbetet shqetësuese mungesa e dialogut social.
Avokati i Popullit, në kuadër të ushtrimit të kompetencave dhe përgjegjësive të tij ligjore, do të kërkojë informata edhe nga autoritetet përgjegjëse në lidhje me grevën e minatorëve.