Avokati i Popullit mori pjesë në konferencën për edukimin e të drejtave të fëmijëve
Prishtinë, 21 tetor 2023 – Avokati i Popullit, Naim Qelaj mori pjesë në një konferencë në lidhje me edukimin e të drejtave të fëmijëve dhe mbrojtjes nga dhuna.
Kjo konferencë u mbajt për të promovuar punën e mbi 100 mijë nxënësve, rreh 2 mijë mësimdhënësve dhe akterëve të tjerë që ishin të përfshirë në projektin për edukimin e të drejtave të fëmijëve “Të drejtat tona”.
Në adresimin e tij, Avokati i Popullit theksoi se të drejtat universale të fëmijëve janë pjesë themelore dhe e domosdoshme e kuadrit ligjor ndërkombëtare e nacional, që garantojnë se të gjithë fëmijët gëzojnë një mjedis të sigurt, të shëndetshëm dhe edukues.
Ai tha se edukimi është një mjet i fuqishëm për t’i mësuar fëmijët për të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre, të kuptojnë se kur u shkelen të drejtat e tyre dhe si të kërkojnë ndihmë e mbështetje në rast të çfarëdo cenimi të tyre.
“Çdo fëmijë ka të drejtë të jetojë pa frikë dhe dhunë. Është përgjegjësi e institucioneve, mësuesve dhe e prindërve të sigurojnë që fëmijët të jenë të sigurt në mjediset e tyre të të mësuarit,” tha Qelaj.
Avokati i Popullit shtoi se është përgjegjësia jonë kolektive që të punojmë së bashku për të siguruar që të drejtat e çdo fëmije nuk janë vetëm fjalë në letër, por një realitet në jetën e tyre.
Ky projekt ka pas për qëllim edukimin e të rinjve për të drejtat e tyre, rritjen e ndërgjegjësimit të opinionit publik lidhur me të drejtat e fëmijëve dhe luftimi i dhunës ndaj fëmijëve.
Për këtë vit, projekti u zhvillua në regjionin e Gjakovës, që përfshijnë Gjakovë, Deçanin dhe Junikun. Ndërsa që nga viti 2006, projekti “Të drejtat tona” ka përfshirë 792 shkolla, janë përgatitur 173 trajnerë, dhe janë trajnuar mbi 1600 mësimdhënës dhe janë përfshirë 101.300 nxënës të moshave prej 9 deri 14 vjeç.
Ky projekt u financua nga Ambasada e Republikës së Sllovenisë në Prishtinë, ndërsa projekti është zbatuar na organizata Instituti për Promovimin e Edukimit (IPEDU).