Featured Image

U mbajt tryeza e pestë me përfaqësuesit e pushtetit lokal dhe organizatave të shoqërisë civile në Mitrovicë

16/10/2023

Prishtinë, 16 tetor 2023 – Avokati i Popullit diskutoi me përfaqësuesit e pushtetit lokal dhe organizatave të shoqërisë civile të regjionit të Mitrovicës për bashkëpunimin ndër-institucional për përmirësimin e të drejtave të njeriut dhe qeverisjes së mirë.

Avokati i Popullit tha se debatet e tilla mundësojnë shkëmbimin e ideve dhe mendimeve që mëtojnë të rrisin bashkëpunimin me qëllim të vetëm përmirësimin e gjendjes së të drejtave të njeriut nëpër komuna.

Avokati i Popullit foli për mandatin dhe kompetencat e tij duke theksuar se këtë rol ai e ushtron përmes nxjerrjes së raporteve me rekomandime ku konstaton për shkeljet e të drejtave të njeriut, dhe kërkon nga autoritetet për të marrë masa për rikthim të të drejtave të cenuara.

Ai theksoi se zbatimi i rekomandimeve të Avokatit të Popullit nga autoritetet përgjegjëse ndihmojnë në radhë të parë qytetarët por edhe vetë punën e institucioneve publike. Ai shtoi se zbatimi i rekomandimeve në nivel lokal është i kënaqshëm ndërsa ka vend për përmirësime pasi që jo çdo herë zbatimi i këtyre rekomandimeve bëhet sipas afateve ligjore.

Pjesëmarrësit ngritën shqetësime dhe çështje të ndryshme e në veçanti u theksuan problemet me të cilat përballen personat me aftësi të kufizuar, siç janë vështirësitë në qasje në hapësira publike, mungesa e asistentëve nëpër shkolla për fëmijët me aftësi të kufizuar, dhe mungesa e kushteve nëpër shkolla për këta fëmijë.

Institucioni i Avokatit të Popullit synon të mbajë një varg tryezash nëpër regjionet e Kosovës, duke pasur për qëllim promovimin e respektimit të të drejtave të njeriut, nxitjes së kulturës së transparencës dhe llogaridhënies në administratën publike, me fokus në qeverisjen lokale.

Kjo tryezë u realizua në bashkëpunim me misionin e OSBE-së në Kosovë.