
U mbajt tryeza në Ferizaj për nxitjen e bashkëpunimit ndërinstitucional për një qeverisje më të mirë
Prishtinë, 13 tetor 2023 – Tryeza e radhës mblodhi të premten përfaqësuesit e pushtetit lokal dhe organizatave të shoqërisë civile të regjionit të Ferizajt me të cilët u diskutua për fuqizimin e bashkëpunimit ndër-institucional në promovimin e të drejtave të njeriut dhe qeverisjes së mirë.
Avokati i Popullit, Naim Qelaj tha se roli i tij është shumëdimensional në kuptimin e parimit të ndarjes së pushteteve, kontrollit e balancimit mes tyre, duke ushtruar kompetencat përmes dhënies së opinioneve dhe rekomandimeve për autoritetet përgjegjëse.
Ai theksoi se ka edhe një rol të veçantë që përmes punës së tij ndikon në përmirësimin e administratës, si atë lokale edhe atë qendrore.
Avokati i Popullit rikujtoi përfaqësuesit e pushtetit lokal, kësaj radhe të komunës së Ferizajt, Shtimes dhe Kaçanikut për obligimet që kanë ndaj kërkesave të Avokatit të Popullit, që ndërlidhen me ankesat e qytetarëve.
“Një nga ankesat që pranojmë është mosdhënia e përgjigjes nga autoritetet lokale për qytetarët. Duhet të krijohet një kulturë, që të kthehen përgjigjet për qytetarët, qofshin ato pozitive apo negative,” tha Avokati i Popullit.
Ai shtoi se ‘heshtja administrative’ e komunave ndaj kërkesave apo ankesave të qytetarëve duhet të ndërpritet edhe pse kjo heshtje apo mos reagim, në shumë raste, sipas ligjit përcaktohet si pranim apo miratim i kërkesës.
Në anën tjetër, Avokati i Popullit foli edhe për zbatimin e rekomandimeve nga ana e autoriteteve lokale por edhe ato qendrore, duke theksuar se sa më i lartë zbatimi nga autoritetet, aq më i lartë është niveli i demokracisë në vend.
Ai po ashtu përmendi që Projektligji për Financat e Pushtetit Lokal, e cila parasheh krijimin e një Granti Specifik për Shërbime Sociale, do të arrinte që të sigurojë një minimum të financimit për shërbimet sociale.
Nënkryetari i komunës së Ferizajt, Lulzim Aliu, kryetari i komunës së Kaçanikut, Mehmet Ballazhi, si dhe nënkryetari i komunës së Shtimes, Faruk Beqa, mirëpriten këtë takim dhe njëzëri theksuan rëndësinë si dhe shtuan se puna dhe raportet me rekomandime të Avokatit të Popullit i bëjnë që edhe ata të përmirësojnë punën e tyre. Në këtë tryezë mori pjesë edhe Igli Totozani, zyrtar i OSBE-së (Ish-Avokat i Popullit).
Pjesëmarrësit tjerë theksuan disa nga çështjet që prekin të gjithë qytetarët e në veçanti personat me aftësi të kufizuar të cilët përballen me mos qasje në rrugë e hapësira institucionale. Një çështje tjetër e ngritur që ka shqetësuar këtë kategori të fundit është mungesa e mjeteve ortopedike si dhe mungesa e asistentëve nëpër shkolla për nxënësit me aftësi të kufizuara.
Kjo tryezë është organizuar në bashkëpunim me zyrën e OSBE-së në Ferizaj.