Deklarata e Avokatit të Popullit me rastin e shënimit të Ditës Botërore të Shëndetit Mendor
Prishtinë, 10 tetor 2023 – Organizata Botërore e Shëndetësisë ka përcaktuar 10 tetorin e çdo viti si Ditën Botërore të Shëndetit Mendor, për të rritur ndërgjegjësimin dhe përpjekjet në mbështetje të shëndetit mendor në mbarë botën. Këtë vit, në qendër të shënimit të kësaj dite është vendosur slogani “Shëndeti mendor është e drejtë universale e njeriut”.
Simbolika e ditës shërben për të tërhequr vëmendjen dhe për të ngritur vetëdijen, në veçanti të autoriteteve përgjegjëse, për ndjeshmërinë që tërheq më vete shëndeti mendor dhe nevoja për trajtim me dinjitet dhe të përshtatshëm të të prekurve nga problemet e shëndetit mendor.
Është evidente që konteksti ekonomik e social i vendit ndikon në mirëqenien e përgjithshme, e për rrjedhojë rëndon më tepër kategori specifike të shoqërisë, shpesh jo vetëm personin e prekur por edhe rrethin familjar dhe më gjerë. Shtetet obligohen të sigurojnë qasje në shërbime për shëndetin mendor, kushte, ushqim, strehim të përshtatshëm për nevojat e personave që janë diagnostikuar me sëmundje të tilla, apo të atyre që kanë probleme të kësaj natyre, por që nuk dinë apo nuk gjejnë ku duhet të drejtohen për të marrë shërbimet e nevojshme.
Avokati i Popullit, në punën e tij, në pajtim me mandatin dhe përgjegjësitë që ka, ka ngritur në vazhdimësi, e me theks këtyre viteve të fundit, shqetësimin për situatën në të cilën ndodhen personat që i përkasin këtij komuniteti.
Kategori e veçantë dhe shumë specifike janë personat me sëmundje mendore që bien ndesh me ligjin. Edhe pse Kosova ka Institutin e Psikiatrisë forenzike, kapacitetet e tij janë të pamjaftueshme për vendosjen e personave që kanë kryer vepra penale e që kanë çrregullime mendore. Në mungesë të kapaciteteve në këtë Institucion, këta persona përfundojnë në burgje ku mbahen edhe kryerësit e veprave tjera. Në këso rrethana, përveç që kushtet janë jo të përshtatshme për vetë ata, po ashtu krijohen rrethana të vështira në menaxhim edhe për personelin policor/korrektues. Përkundër përpjekjeve për rritjen e kapaciteteve, institucionet po vazhdojnë të ballafaqohen me vështirësi në këtë aspekt.
Avokati i Popullit, këtyre ditëve ka adresuar Raportin lidhur me vizitën e MKP-së në Klinikën Psikiatrike të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës-Urgjenca dhe Kujdesi Intensiv Psikiatrik (Raportin e plotë e gjeni në: https://bit.ly/3ZLkNel)
Raporti ka vënë në fokus vlerësimin e respektimit të të drejtave themelore të personave me probleme mendore, të hospitalizuar në repartin e mbyllur të Klinikës Psikiatrike për trajtim të pavullnetshëm, të cilët janë sjellë për trajtim nga policia apo nga familjarët.
Me rastin e Ditës Botërore të Shëndetit Mendor, Avokati i Popullit bën thirrje për ndërmarrjen e veprimeve të shpejta dhe konkrete nga institucionet relevante, me qëllim të përmirësimit të gjendjes në këtë aspekt. Në këtë drejtim, hap i parë do të ishte finalizimi i ndryshimeve të Ligjit për Shëndetin Mendor, si dhe nxjerrjen e rregulloreve që e bëjnë të mundshëm operacionalizimin e obligimeve ligjore.