Featured Image

Avokati i Popullit vizitoi fshatin Janjevë

05/10/2023

Prishtinë, 5 tetor 2023 – Avokati i Popullit, Naim Qelaj së bashku me bashkëpunëtoret e tij, në përputhje me mandatin dhe përgjegjësitë e veta e vizitoi fshatin Janjevë, në Komunën e Lipjanit, me qëllim që në vendin e ngjarjes personalisht ta shohë situatën në terren, të paraqitur në ankesën individuale të disa banoreve të këtij fshati.

Gjendja me ujësjellësin dhe kanalizimin është shqetësuese, gjë të cilën e kanë paraqitur disa banorë të zonës, duke theksuar faktin se që nga viti 2017, pas ndërtimit të basenit të ujësjellësit, i cili ndodhet mbi varrezat lokale, uji nga burime të panjohura po derdhet në themele të disa shtëpive të banuara. Ky ujë depërton në dhoma ku jetojnë ata, ndërsa lagështia përhapet në muret e shtëpive, në të cilat gjenden gjurmët e mykut, i lag instalimet elektrike në shtëpi, gjë që e rrezikon drejtpërdrejt sigurinë e tyre nga lidhjet e shkurtra të rrymës elektrike dhe djegien e shtëpive, por ndikon po ashtu edhe në shëndetin dhe cilësinë e jetës së tyre. Vendasit dyshojnë se uji që derdhet në shtëpitë e tyre buron nga kanalizimet dhe tubacionet e vjetruara të ujit.

Problem të dukshëm paraqesin edhe shtëpitë e vjetra të braktisura, disa prej të cilave tashmë janë shembur, ndërsa të tjerat janë në rrezik shembjeje, gjë që gjithashtu paraqet rrezik edhe për shtëpitë e banuara fqinje dhe për lëvizjen e njerëzve. Rrugët e fshatit janë shumë të lëna pas dore dhe të dëmtuara, është shumë e vështirësuar qasja në shtëpi dhe lëvizja e automjeteve.

Sipas pretendimeve të ankuesve dhe dokumentacionit të paraqitur, rezulton se për problemet e lartpërmendura, disa herë deri më tani janë njoftuar autoritetet komunale por edhe Kompania rajonale e Ujësjellësit

Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj në përputhje me mandatin e vet për mbrojtjen dhe monitorimin e të drejtave të njeriut, shpreh shqetësimin e vet për situatën alarmante, në të cilën ndodhen banorët e Janjevës dhe u bën thirrje organeve kompetente që urgjentisht të reagojnë në përputhje me kompetencat që i kanë.