Featured Image

IAP mori pjesë në takimin e 13-të Platformës Bashkëpunuese të CoE-FRA-ENNHRI-EQUINET

29/09/2023

Prishtinë, 29 shtator 2023 – Përfaqësueset e Institucionit të Avokatit të Popullit, znj. Suzana Gashi, drejtore e Departamentit kundër Diskriminimit, dhe znj. Vlora Veseli, këshilltare juridike, morën pjesë në takimin e platformës bashkëpunuese të institucioneve më të larta për të drejtat e njeriut të Bashkimit Evropian, me temën “Realizimi i të drejtave sociale në epokën e digjitalizimit: mundësitë dhe rreziqet”, që po mbahen në Helsinki të Finlandës.

Këto takime të frytshme diskutimi i kanë mbledhur së bashku përfaqësuesit e Këshillit të Evropës (CoE), Rrjeti Evropian i Organeve të Barazisë (EQUINET), Rrjetit Evropian të Institucioneve Kombëtare të të Drejtave të Njeriut (ENNHRI), Agjencisë se Bashkimit Evropian për të Drejtat Themelore (FRA), institucionet kombëtare të të drejtave të njeriut, organet kombëtare të barazisë dhe aktorët e shoqërisë civile aktive në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave sociale, me qëllim të avancimit të mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave ekonomike dhe sociale dhe shkëmbimit të praktikave të mira.

Në takimin e 13-të të platformës bashkëpunuese të CoE-FRA-ENNHRI-EQUINET për çështje sociale dhe ekonomike, janë duke u diskutuar nga të pranishmit objektivat kryesore rreth ndikimit të teknologjive të reja në tregun e punës, ndikimi i qasjes digjitale ne shërbimet sociale, mënyra e sigurimit të qasjes së barabartë në mjetet, shërbimet dhe arsimin digjital, si dhe roli i mbrojtësve të të drejtave të njeriut në parandalimin dhe zbutjen e ndikimit negativ të inteligjencës artificiale dhe digjitalizimit të shërbimeve sociale.

Në takimin e grupit punues të ENNHRI-t për Çështje Ekonomike, Sociale dhe Kulturore, përfaqësueset e IAP-së prezantuan përditësimet e punës nga ushtrimi i mandatit të IAP-së në çështjet sociale dhe ekonomike. Përderisa në takimin e grupit punues ESER Cluster të EQUINET, përfaqësueset e IAP-së prezantuan rastet e iniciuara dhe të trajtuara nga IAP mbi bazat juridike, si: statusi social, prona, cenueshmëria ekonomike, origjina sociale, pozita sociale, gjendja ekonomike, profesioni dhe punësimi me kohë të pjesshme.

Suzana Gashi, drejtore e departamentit kundër diskriminimit

Vlora Veseli, këshilltare juridike