Featured Image

Avokati i Popullit mori pjesë në konferencën regjionale në Podgoricë

29/09/2023

Prishtinë, 29 shtator 2023 – Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj dhe zëvendësi, z. Niman Hajdari morën pjesën në konferencën regjionale me temë “Institucionet e Ombudsmanëve në kohë krizash”, organizuar nga Ombudsmani i Malit të Zi.

Avokati i Popullit, z. Qelaj në fjalimin e tij tha se Republika e Kosovës, e mbështetur edhe nga komuniteti ndërkombëtar, ka pranuar të ndërtoj sistemin e saj shtetëror e juridik bazuar në vlerat dhe standardet më të larta të përcaktuara me instrumentet ndërkombëtare për të drejtat dhe liritë e njeriut, standarde që shpesh herë as vendet me demokraci të konsoliduar nuk i kanë. Ai tha se pranimi i këtyre standardeve nuk kanë qenë gjithmonë në përputhje me kapacitetet që i ka shteti, andaj edhe ka pas vështirësi në zbatimin praktik të tyre.

Ai tha se në anën tjetër ka qenë shumë pozitive sepse i ka detyruar autoritetet të shtojnë dinamikën e angazhimeve për të ndërtuar mekanizma që mundësojnë marrjen e masave për përmbushjen e detyrimeve që i kanë sipas këtyre standardeve. Andaj edhe mënyra se si është ndërtuar Institucioni i Avokatit të Popullit ka në bazë standardet nga instrumentet kryesore siç janë parimet e Parisit dhe ato nga deklarata e Venedikut. “Autoriteti dhe mandati i Avokatit të Popullit të Republikës së Kosovës është shumë i gjerë në përgjegjësi dhe kompetenca, çka e ka rrit nevojën të ndërtohen kapacitete te qëndrueshme, me pavarësi financiare e funksionale për t’ia dal të përmbush këtë mandat dhe detyrat tona”, tha z. Qelaj.

Ai theksoi rëndësinë e zbatimit të rekomandimeve të Avokatit të Popullit duke shtuar se po aq e rëndësishme se çfarë flasim në qëndrimet tona është edhe ajo se sa na dëgjojnë autoritetet, kjo matet edhe me zbatimin e rekomandimeve që IAP jep. “Republika e Kosovës është shembull unik i suksesit në të gjitha këto aspekte dhe jemi në rrugë të mbarë që të rrisim nivelin e zbatimit të rekomandimeve tona sepse tanimë është arritur një vetëdije institucionale se zbatimi i rekomandimeve jo vetëm që tregon nivelin e demokracisë dhe të respektimit të të drejtave të njeriut por i përmirëson vet autoritetet në punën e tyre,” tha z. Qelaj.

Duke iu adresuar të pranishmëve, Avokati i Popullit për fund tha se mbrojtja e të drejtave dhe lirive të njeriut kërkon angazhim shumë dimensional, partneritet dhe përkushtim e konsistencë në punën tonë, duke mos u dekurajuar asnjëherë sepse është në interes për çdo shoqëri demokratike.

“Përmes angazhimit tonë të ndikojmë në respektim të plotë të të drejtave dhe lirive të njeriut, e që përkthyer në praktik është mirëqenia dhe trajtimi i barabartë, pa diskriminim dhe mundësi e secilit anëtar në një shoqëri dhe në një vend,” tha z. Qelaj.

Kjo konferencë është organizuar me rastin e përvjetorit të 20-të të themelimit të Institucionit të Ombudsmanit të Malit të Zi.