MKPT vizitoi të dyshuarit për terrorizëm
26/09/2023
Prishtinë 26 shtator 2023 – Ekipi i Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës (MKPT) i Avokatit të Popullit, bazuar në mandatin për monitorimin e vendeve ku mbahen personat e privuar nga liria, vizituan Burgun e Sigurisë së Lartë, dhe intervistuan Blagoje Spasojevic dhe Dushan Maksimoviq, dy të arrestuarit për terrorizëm.
Ata u vendosën sot në Burgun e Sigurisë së Lartë pasi u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh. Gjatë intervistimit u theksua se ata kanë pasur kontrolle mjekësore në momentin që janë vendosur, dhe u janë hapur dosjet shëndetësore.
Personat në fjalë kishin të angazhuar avokatë dhe gjatë intervistës nuk kanë pasur ankesa sa i përket trajtimit nga ana e shërbyesve korrektues. Të njëjtit u njoftuan për mandatin e Avokatit të Popullit dhe u është ofruar numri pa pagesë i Avokatit të Popullit i cili është i vendosur në kutitë e ankesave që janë në secilin pavijon.
MKPT falënderon Shërbimin Korrektues të Kosovës për bashkëpunimin e mirë që kanë treguar si çdo herë tjetër.