Featured Image

Të drejtat e njeriut dhe qeverisja e mirë u diskutua në Prizren

26/09/2023

Prishtinë, 25 shtator 2023 – Avokati i Popullit së bashku me OSBE-në organizuan tryezën e radhës në Prizren ku u diskutua për fuqizimin e bashkëpunimit ndër-institucional në promovimin e të drejtave të njeriut dhe qeverisjes së mirë.

Katër kryetarët e regjionit të Prizrenit iu bashkëngjitën Avokatit të Popullit në diskutim raportet me rekomandime të nxjerra për këto komuna, si dhe u diskutua për shqetësimet e aktivistëve dhe përfaqësuesve të organizatave të shoqërisë civile.

Avokati i Popullit, Naim Qelaj tha se pranon ankesa nga qytetarët në baza ditore, ndërsa gjyqësori mbetet sfida më e madhe për shkak të numrit më të madh të ankesave që ndërlidhen me zvarritjen e procedurave gjyqësore.

Ai shtoi se autoritetet, si qendrore dhe ato lokale, e kanë për detyrë që të kthejnë përgjigje me kohë në kërkesat dhe pyetjet e Avokatit të Popullit kur është duke u bërë një hetim. Ai tha se raportet me rekomandime duhen të merren seriozisht nga institucionet publike në mënyrë që të rivendosen të drejtat e njeriut në pretendimet për shkelje të tyre.

Avokati i Popullit tha se autoritetet lokale duhen të kenë në vëmendje ankesat e qytetarëve dhe t’u përgjigjen me kohë. Po ashtu, duhet të luftohet nepotizmi dhe të kthehet meritokracia kur flitet për çështjet e punësimit.

Ai theksoi se një sfidë tjetër del të jetë edhe gjendja jo e mirë e strehimoreve dhe sfidat me të cilat përballen qendrat për punë sociale. Po ashtu, ekziston bashkërendimi i ulët në mes nivelit lokal dhe atij qendror, duke thënë se autoritetet qendrore duhet të ofrojnë ndihmë më shumë ndërsa autoritetet lokale të bëjnë më shumë për qytetarët.

Shaqir Totaj, kryetari i Prizrenit, Bali Muharremaj, kryetar i Suharekës, Bexhet Xheladini, kryetar i Dragashit dhe Abdylhadi Krasniç, kryetar i Mamushës morën pjesë në diskutim dhe u përgjigjen në pyetjet e pjesëmarrësve.

Kryetarët njëzëri theksuan rëndësinë e këtij takimi duke e konsideruar si mundësi të mirë për të diskutuar për çështje të rëndësishme, si dhe shtuan se puna dhe raportet me rekomandime të Avokatit të Popullit i bëjnë që edhe ata të përmirësojnë punën e tyre.

Një ndër çështjet që u ngritën nga pjesëmarrësit ishin ankesat për punën e komisioneve mjekësore që bëjnë për vlerësim dhe ri-vlerësim të aftësisë së personave me aftësi të kufizuara, po ashtu edhe në lidhje me qasjen në infrastrukturë fizike dhe hapësira për Personat me Aftësi të Kufizuara.