
Avokati i Popullit mori pjesë në konferencën “Shëndet për të gjithë”
Prishtinë, 21 shtator 2023 – Në konferencën “Shëndet për të gjithë”, organizuar nga zyra për qeverisje të mirë, Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj tha se e drejta e mbrojtjes shëndetësore dhe sociale hyn në grupin e të drejtave sociale-ekonomike, të cilat garantohen me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Ai tha se në vitin 2022 ka pranuar 310 ankesa përkitazi me mbrojtjen shëndetësore dhe sociale, ndërsa këtë vit janë 49 ankesa të kësaj natyre.
Z. Qelaj tha se në bazë të ankesave dhe të rasteve të hetuara është konstatuar se ka pasur mungesa të furnizimeve të rregullta me barna esenciale, produkte e pajisje medicinale si dhe materiale shpenzuese, si dhe kanë vazhduar pritjet e gjata të pacientëve për të kryer disa lloje intervenimesh. Gjithashtu shqetësuese ka vazhduar të jetë largimi i profesionistëve shëndetësorë.
Ai tha se Ligji për sigurimin shëndetësor nuk po gjen zbatim gjersa konventa ndërkombëtare për të drejtat ekonomike, sociale dhe kulturore vazhdon të mos jetë pjesë e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Ai po ashtu ka ritheksuar se kujdesi paliativ në Republikën e Kosovës akoma nuk është funksionalizuar, si dhe Sistemi Informativ Shëndetësor (SISh), i filluar në vitin 2002, akoma nuk është ngritur dhe si rrjedhojë kemi një SISh jo të plotë dhe jofunksional.
Avokati i Popullit njoftoi të pranishmit me disa të dhëna të dala nga një tryezë diskutimi e organizuar nga Institucioni i Avokatit të Popullit që kishte të bënte me mbledhjen dhe raportimin e të dhënave në sektorin shëndetësor. Përfundimet që dolën nga kjo tryezë shpërfaqën problemet e vazhdueshme përkitazi me mbledhjen dhe raportimin e të dhënave në sektorin shëndetësor.
Nga kjo tryezë u konkludua se të dhënat në fjalë nuk janë të plota, janë të pamjaftueshme, herë-herë gjysmake apo edhe të paqarta, si dhe një pjesë e tyre nuk janë kompatibile me metodologjinë dhe kriteret që përdorë Agjencia e Statistikave të Kosovës, që janë të nevojshme për t’u konsideruar valide, të besueshme dhe të krahasueshme.
Avokati i Popullit tha se në fund të dhjetorit 2022, ka adresuar tek autoritetet përgjegjëse raportin për të drejtat në Shëndetin Seksual dhe Riprodhues (ShSR) në Republikën e Kosovës.
Ky raport ka gjetur probleme që ka sistemi shëndetësor, si: stafi i pamjaftueshëm mjekësor dhe jo mjaft i përgatitur për t’iu përgjigjur standardeve më të mira për shërbime të dinjitetshme dhe cilësore; mungesa e buxhetit të mjaftueshëm për shëndetësi, përfshirë mungesën e sigurimeve shëndetësore.
Po ashtu hetimi nxori në pah se sado që ekziston baza ligjore dhe struktura e mekanizmat në pajtim me këtë bazë ligjore, anomalitë në funksionim dhe mungesa e koordinimit dhe planifikimit janë të shumta.
Privatësia dhe konfidencialiteti respektohen dobët nga profesionistët me që përcillet me mosndëshkim, gjë që shkel jo vetëm të drejtat njerëzore për privatësi, por që vepron edhe si një dekurajim në kërkimin e shërbimeve nga profesionistët e licencuar.