Featured Image

ENNHRI publikoi raportin për gjendjen e sundimit të ligjit në Evropë për vitin 2022

15/09/2023

Prishtinë, 12 shtator 2023 – Rrjeti Evropian i Institucioneve Kombëtare për të Drejtat e Njeriut (ENNHRI), në të cilin Institucioni i Avokatit të Popullit është anëtar, ka publikuar raportin për sundimin e ligjit në Evropë për vitin 2022, në të cilin kanë kontribuar 51 shtete, të regjionit të Këshillit të Evropës, përfshirë edhe Kosovën.

Çdo vit, Institucionet Kombëtare për të Drejtat e Njeriut (IKDNJ), anëtarët e ENNHRI-t raportojnë për gjendjen e sundimit të ligjit dhe të drejtat e njeriut në juridiksionin e tyre, të cilat grumbullohen për të identifikuar trendët dhe rekomandimet rajonale.

Të gjeturat e raportit flasin për sfidat e vazhdueshme që prekin sundimin e ligjit evropian dhe mjedisin e të drejtave të njeriut, duke nënvizuar mos-konsistencën e autoriteteve shtetërore për të përmbushur rekomandimet specifike të IKDNJ-ve sa i takon sundimit të ligjit.

Raporti po ashtu thekson nevojën e zbatimit të rekomandimeve të organizatave ndërkombëtare si Bashkimi Evropian, Këshilli i Evropës dhe Kombeve të Bashkuara.

Institucionet Kombëtare për të Drejtat e Njeriut raportuan se ekzistojnë çështje të shumta që ndikojnë negativisht në hapësirën që mundëson këto institucione në të gjithë Evropën për të kryer mandatet e tyre në mënyrë efektive dhe të pavarur, duke përfshirë: sfidat në konsultimin e duhur të IKDNJ-ve nga autoritetet kombëtare në proceset përkatëse legjislative dhe të politik bërjes.

Po ashtu, është raportuar për kufizime të panevojshme në qasjen në informacion, mungesën e burimeve adekuate për të kryer me efektivitet mandatet e IKDNJ-ve. Po ashtu, theksohet mungesa e kritereve transparente dhe objektive për emërimin dhe shkarkimin e drejtuesve të institucioneve, si dhe, në disa raste, ngacmimi dhe pengimi i punës së IKDNJ-ve.

Raporti për 2022 po ashtu flet për përkeqësimin e kushteve në të cilat veprojnë mbrojtësit e të drejtave të njeriut dhe organizatat e shoqërisë civile (OSHC). Në një numër të vendeve evropiane, OShC-të dhe mbrojtësit e të drejtave të njeriut vazhdojnë të jenë objekt sulmesh dhe ngacmimesh, duke përfshirë paditë strategjike kundër pjesëmarrjes publike (SLAPP), veçanërisht duke synuar ata që punojnë në të drejtat seksuale dhe riprodhuese, të drejtat e komunitetit LGBTI+, të drejtat e emigrantëve dhe azilkërkuesit dhe aktivistët e mbrojtjes së mjedisit.

Një numër i anëtarëve të ENNHRI-t kanë ngritur shqetësime të veçanta në lidhje me ligjet që kufizojnë hapësirën qytetare dhe aktivitetet e OSHC-ve, përkatësisht ato që ndikojnë në lirinë e asociimit dhe grumbullimit. Raporti po ashtu vë në pah nivelin e pakënaqshëm të zbatimit efektiv dhe në kohë të vendimeve të Gjykatave Evropiane, të identifikuara në të gjithë Evropën. Këto vendime ndikohen nga pengesat financiare, politike, ligjore, strukturore dhe organizative.

Në lidhje me këto çështje, raporti ka prodhuar një sërë rekomandimesh kryesore për akterët rajonal dhe evropianë dhe ata kombëtarë. Ato përfshijnë:

  • të ndërmerren hapa për të avancuar zbatimin e rekomandimeve të akterëve të rajonit nga autoritetet shtetërore, në kohë dhe në bashkëpunim me IKDNJ-të;
  • të mbështetet fuqimisht krijimi dhe mundësimi i hapësirës për IKDNJ-të të pavarura dhe efektive në përputhje të plotë me Parimet e Parisit të OKB-së;
  • të mbështeten, të mbrohen dhe fuqizohen mbrojtësit e të drejtave të njeriut dhe hapësirës së shoqërisë civile që është thelbësore për sundimin e ligjit;
  • të përcaktohen prioritetet dhe të ndërmerren hapa të vendosura për të mbështetur zbatimin e gjykimeve të Gjykatave Evropiane, në konsultim me IKDNJ-të dhe shoqërinë civile;
  • të sigurohet një qasje bazuar në të drejtat e njeriut për përdorimin e Inteligjencës Artificiale (AI) dhe t’i kushtojë vëmendje të veçantë ndikimit të tij në sundimin e ligjit, demokracinë dhe të drejtat e njeriut, në bashkëpunim me IKDNJ-të;
  • Adresimi i sfidave të tjera të vazhdueshme për sundimin e ligjit, përfshirë ato strukturore çështjet e të drejtave të njeriut, duke pranuar se sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut janë të përforcuara reciprokisht.

Lexoni raportin e plotë këtu: https://bit.ly/3LjvZsq

Lexoni raportin për Kosovën: https://bit.ly/3PzxCVv