Featured Image

Avokati i Popullit diskutoi për të drejtat e njeriut me përfaqësues lokal dhe të shoqërisë civile në Pejë

14/09/2023

Prishtinë, 14 shtator 2023 – Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj, në bashkëpunim me zyrën e OSBE-së në Kosovë, organizuan një tryezë diskutimi në Pejë me temë “Fuqizimi i bashkëpunimit ndër-institucional në promovimin e të drejtave të njeriut dhe qeverisjes së mirë”.

Në këtë tryezë morën pjesë përfaqësuesit e institucioneve lokale, të shoqërisë civile dhe aktivistë të drejtave të njeriut nga regjioni i Pejës, me të cilët u diskutua për të drejtat e njeriut dhe thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit me autoritetet lokale.

Në këtë takim, pjesëmarrësit dëgjuan për mandatin, rolin dhe kompetencat e Avokatit të Popullit, si dhe si kryhen hetimet në këtë institucion për ankesat e qytetarëve.

Avokati i Popullit tha se bashkëpunimi me autoritetet e nivelit qendror dhe lokal është në rritje duke i rikujtuar ata për përgjegjësitë që kanë ndaj Institucionit të Avokatit të Popullit në lidhje me ankesat e qytetarëve.

Ai shtoi se autoritetet kanë për obligim që të kthejnë përgjigje me kohë në lidhje me rastet që Avokati i Popullit i trajton, në mënyrë që të drejtat e qytetarëve të rivendosen. “Ka raste kur autoritetet nuk përgjigjen. Mos përgjigja në afate kohore na bënë të shfrytëzojmë mekanizmat tjera, inicim të procedurës penale. Asnjëherë nuk i kemi përdorur këto. Ka ardhur koha që ti përdorim këto instrumente ligjore,” tha z. Qelaj.

Ai tha se është më rëndësi që ti ftojmë të gjitha autoritetet që të jenë në rritje të përgjegjësisë në punën që ata bëjnë.

Një nga shqetësimet që u ngritën nga pjesëmarrësit ishte mungesa e punëtorëve nëpër qendrat për punë sociale, ndërsa veçanërisht në komunën e Istogut theksohet mungesa e psikologëve.

Pjesëmarrësit nënvizuan pranimin e një pyetësori nga Institucioni i Avokatit të Popullit në lidhje me qasjen në infrastrukturën publike dhe private për personat me aftësi të kufizuara. Komuna e Junikut tashmë ka nisur përmirësimin e qasjes në ndërtesën e komunës për këtë komunitet, me donacion nga Bashkimi Evropian.

Çështja e moszbatimit të ligjit për personat me aftësi të kufizuara sa i përket punësimit është ngritur nga përfaqësuesi i organizatës Handikos. Po ashtu, u theksua moszbatimi i udhëzimit administrativ për kushtet teknike që duhen të plotësohen nga ndërtuesit për përmbushjen e standardeve për qasje për të gjithë në hapësirat publike.

Në fund, Avokati i Popullit falënderoi pjesëmarrësit në diskutimin konstruktiv dhe theksoi se këto tryeza do të shërbejnë si platformë e rëndësishme për promovimin e zyrave rajonale të Institucionit të Avokatit të Popullit, edukimin e palëve të interesit për të drejtat e njeriut, rëndësinë e zbatimit të rekomandimeve dhe nxitjen e bashkëpunimit ndërinstitucional për një qeverisje më të mirë.