Featured Image

Avokati i Popullit publikoi raportin në lidhje me gjuhën e urrejtjes në tekstet shkollore

16/08/2023

Prishtinë, 16 gusht 2023 – Avokati i Popullit publikoi Raportin ex-officio me rekomandime në lidhje me hulumtimin dhe analizimin e gjuhës së urrejtjes nëpër tekste shkollore, konkretisht në tekstet prej klasës së parë e deri te klasa e nëntë, duke nisur nga Abetarja, Gjuha shqipe, Historia, Edukata qytetare, Shoqëria dhe mjedisi, dhe libra të leximit.

Avokati i Popullit konstaton se në përgjithësi respektohen standardet për gjuhën e përdorur në tekste mësimore, pasi del se ka një prani shumë të vogël dhe krejt të kufizuar të gjuhës së urrejtjes në të gjitha format e manifestimit të saj.

Këto gjetje reflektojnë përpjekjet institucionale dhe shoqërore për rishikimin e teksteve të mëhershme dhe adresimin e tyre drejt mbështetjes së një kulture të tolerancës, të barazisë dhe të antiracizmit.

Si rezultat i kësaj, Avokati i Popullit konstaton se nga gjithsej 47 tekste shkollore të analizuara, janë gjetur pak raste të teksteve me përmbajtje të gjuhës së urrejtjes, si në rastin e tekstit te libri Gjuhë Shqipe, për klasën e 6-të, në pjesën: “Tekst leximi”, me titull: “Lexojmë rrëfime popullore”, dhe teksti: “Familja shqiptare dikur dhe sot”.

Avokati i Popullit, bazuar në të gjeturat nga tekstet e analizuara, adresoi rekomandime për Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, duke e konsideruar të rëndësisë së veçantë hartimin e udhëzuesit për parandalimin dhe eliminimin e gjuhës së urrejtjes, i cili duhet të zbatohet në të gjitha rastet kur hartohen kurrikula dhe tekste shkollore të reja apo rishikohen ato që janë në fuqi.

Rekomandime të tjera përfshijnë organizime të trajnimeve për autorë tekstesh shkollore dhe për mësimdhënës për lirinë e shprehjes, me qëllim të aftësimit dhe të kapaciteteve për eliminimin e gjuhës së urrejtjes gjatë hartimit të teksteve shkollore dhe gjatë mësimdhënies.

Lexo raportin e plotë -> https://bit.ly/3QGG1XZ