
Avokati i Popullit takoi kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama
Prishtinë, 9 gusht 2023 – Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj priti të mërkurën në takim kryetarin e Komunës së Prishtinës, z. Përparim Rama.
Temë diskutimi ishte fuqizimi i bashkëpunimit ndërinstitucional për një qeverisje më të mirë, dhe çështje të tjera në përmirësimin e shërbimeve publike dhe mbrojtjen e përgjithshme të të drejtave të njeriut.
Z. Qelaj tha se institucionet publike duhet të ndërmarrin veprime konkrete me qëllim të zbatimit të rekomandimeve që dalin nga Avokati i Popullit, gjë që rrit nivelin e demokracisë në vend por edhe mëton përmirësimin e jetës së qytetarëve.
Avokati i Popullit theksoi disa nga ankesat e pranuara nga qytetarët siç është qasja në objekte, trotuare dhe stacionet e autobusëve lokal, një sfidë e madhe për personat me aftësi të kufizuar. Më tutje u theksua edhe problemi me qentë endacak, kolektorët e ujërave të zeza, kontaminimi i ujit në fshatin Marevc si dhe legalizimi i objekteve pa leje.
Në këtë takim po ashtu u diskutua ishte edhe rekomandimi i Avokatit të Popullit për shfuqizimin e rregullores për tarifa, ngarkesa dhe gjoba komunale, për të cilën u konstatua se obligimi për pagimin e tarifës së taksës për transaksion të pronës së paluajtshme përbën shkelje të së drejtës pronësorë. Kryetari përparim Rama theksoi se komuna tashmë e ka shfuqizuar këtë rregullore.
Kryetari Përparim Rama tha se e mirëpret këtë takim me Avokatin e Popullit duke e parë si një mundësi për të rritur shkëmbimin e informatave ndërmjet institucioneve. Ai foli për disa nga çështjet e ngritura dhe për masat që ka ndërmarrë komuna e Prishtinës, si në rastin e qenve endacakë ku komuna ka ndarë 1,5 milionë euro ku përfshihet subvencionimi i atyre që adaptojnë qentë endacakë, ndërtimi i strehimores për qentë, dhe ndërtimi i parkut për qentë në hapësirë prej 10 hektarësh.
Kryetari Rama theksoi se komuna nuk lëshon leje ndërtimi nëse paraprakisht nuk plotësohen kushtet për qasje për personat me aftësi të kufizuar.