Featured Image

U mbajt takimi i rregullt i punës i Forumit për Dialog mes Institucionit të Avokatit të Popullit dhe Organizatave të Shoqërisë Civile

14/07/2023

Prishtinë, 14 korrik 2023 –  Në takimin e së enjtes u vlerësua lart bashkëpunimi i deritanishëm i Avokatit të Popullit me shoqërinë civile, në ndërmarrjen e iniciativave të përbashkëta për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut në vend. Forumi mori një qëndrim të përbashkët duke u pajtuar për avokim të përbashkët për çështje aktuale nga fusha e të drejtave të njeriut, me qëllim  të avancimit të respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Në takim po ashtu u diskutuan dhe u koordinuan aktivitetet e përbashkëta të planifikuara si dhe u aprovua Plani i punës së Forumit për vitin 2023/2024, me qëllim të kontribuimit në promovimin, mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të njeriut në vend.

Problemet dhe sfidat që lidhen me çështjen e shëndetit mendor të qytetarëve, nga këndvështrime të ndryshme, ishte në fokusin kryesor të çështjeve të diskutuara. Diskutimi vazhdoi me tema që mbulonin të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, barazia gjinore, të drejtat pronësore të grave, të drejtat e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës çlirimtare në Kosovë, edukimi mbi të drejtat e njeriut, respektimi i të drejtave gjuhësore dhe qasja në gjuhën e shenjave, mbrojtja nga dhuna në shkolla, dhe të drejtat e komunitetit LGBTI+.

Në takim u prezantuan disa nga qëndrime dhe opinione të Avokatit të Popullit, nga raportet për rastet e hetuara, që i janë të adresuara së fundmi institucioneve publike, e gjithashtu u fol edhe për rastet e nisura nga Avokati i Popullit sipas detyrës zyrtare lidhur me çështje të ngritura nga shoqëria civile në takimet e përbashkëta të Forumit.​