Featured Image

Komunikatë për media – Avokati i Popullit mbanë tryezë lidhur me Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, me theks të veçantë tek pensionet kontribut-paguese

12/07/2023

Prishtinë, 10 korrik 2023 – Avokati i Popullit mbajti një tryezë diskutimi ku të ftuar ishin përfaqësuese të shoqatave dhe sindikatave të pensionistëve, përfaqësues të shoqërisë civile dhe media, për të diskutuar lidhur me çështjen e skemave pensionale, me theks te veçantë pensionet kontribut-paguese në përgjithësi dhe në frymën e zhvillimeve të fundit.

Avokati i Popullit përshëndet miratimin e ndryshimit Ligjit Nr.04/L-131 për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, në pajtim me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese KO190/19, i datës 16 janar 2023, me të cilin qytetarëve të larguar nga puna gjatë viteve të 90-ta, të cilët për këtë arsye nuk kishin arritur ta plotësojnë kriterin prej 15 vite përvojë kontribut-paguese, që kjo e drejtë t’ju njihet nëpërmes ndryshimit të këtij ligji.

Në fakt, Avokati i Popullit kishte kërkuar ndryshimin e Ligjit për Skemat e Financuara nga Shteti, qysh më 6 prill 2018 kur edhe kishte nxjerrë Raportin me Rekomandime Ex officio Nr. 235/2018 drejtuar Qeverisë dhe Kuvendit. Avokati i Popullit nëpërmjet këtij raporti ka vlerësuar se largimi i dhunshëm dhe diskriminues nga puna ka pamundësuar arritjen e stazhit kontribut-pagues prej 15 vitesh dhe se një praktikë e tillë diskriminuese nuk duhet që edhe më tutje të prodhojë pasoja për qytetarët e Kosovës, përkatësisht kategorinë e qytetarëve që nuk përfitojnë nga pensioni kontribut-pagues. Avokati i Popullit kishte rekomanduar ndryshimin e ligjit, përkatësisht të nenit 8 të tij si dhe Udhëzimit Administrativ Nr. 09/2015 për kategorizimin e shfrytëzuesve të pensionit kontribut-pagues, sipas strukturës kualifikuese dhe kohëzgjatjes së pagesës së kontributeve-stazhit pensional, gjë që edhe urdhërohet edhe me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

Megjithatë, Avokati i Popullit vlerëson se sa u përket skemave pensionale ka akoma çështje të cilat mbeten të hapura për diskutim dhe trajtim. Duhet pasur parasysh se pensionet kontribut-paguese janë vetëm një nga skemat pensionale që parasheh ligji dhe se skema tjera si e drejta në pension invalidor të punës dhe e drejta në pension familjar akoma nuk kanë gjetur zbatim, edhe pse këto njëjtë sikur se e drejta në pension kontribut-pagues paraqesin të drejta të fituara.

“Nëse i referohemi vendimit të Gjykatës Kushtetuese, çfarë duhet të ndodhë që të merren masat e nevojshme për këto tri çështje që unë i përmenda, janë rekomandimet; ndryshimi i ligjit në përputhje me Gjykatën Kushtetuese që të mos ketë me karakter diskriminues. Të fillohet të zbatohet ligji për familjarë dhe invalidë”, tha z. Qelaj.

Suzana Gashi, drejtoreshë e Departamentit për Mbrojtje nga Diskriminimi në Institucionin e Avokatit të Popullit, tha se për shkak të largimit të pavullnetshëm nga puna, shumë persona nuk kanë mundur të dëshmojnë përvojën e punës, dhe pavarësisht se a kanë pasur përvojë apo jo, të gjithë personat që kanë kaluar moshën mbi 65 vjeçare, ka marrë të njëjtën vlerë të pensioneve.

“Më pas e drejta për pension për persona me aftësi të kufizuara, ky nuk është pension është beneficion që merret nga shteti. Raporti i lëshuar i trajton vetëm rastet e personave të larguar me dhunë nga puna. Avokati i Popullit ka konstatuar se një praktikë e tillë diskriminuese duhet të mos vazhdojë më. Prandaj Avokati i Popullit ka propozuar ndryshimin e ligjit, përkatësisht nenit 8”.

Ndue Kalaj, nga Sindikata e ish-nëpunësve Shtetërorë të Kosovës të viteve të 90-ta, foli për rëndësinë e zbatimit të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese dhe bashkëpunimi me autoritetet shtetërore.

“Deri më 15 korrik është dashur të bëhet amandementimi i nenit 8, paragrafit 2. Ne në Kosovë nuk kemi përgjegjësi të institucionit. Vërtetë është shumë peshë e rëndë nëse një shtet që po udhëton drejt Evropës nuk po mundet të zbatojë një ligj”, tha Kalaj.

Në këtë takim folën edhe përfaqësues nga sindikata tjera dhe theksuan se një tryezë e tillë ka qenë e domosdoshme dhe e dobishme për sindikalistët.