Avokati i Popullit diskutoi me autoritetet lokale dhe shoqërisë civile të regjionit të Gjakovës
Prishtinë, 6 korrik 2023 – Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj me bashkëpunëtorë mblodhi në një tryezë diskutimi autoritetet lokale dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile të regjionit të Gjakovës për të diskutuar për fuqizimin e bashkëpunimit ndër-institucional në promovimin e të drejtave të njeriut dhe qeverisjes së mirë.
Në adresimin e tij, z. Qelaj u shpreh i kënaqur me bashkëpunimin e IAP-së dhe institucioneve qendrore dhe lokale, duke kërkuar më shumë angazhim për të intensifikuar bashkëpunimin në nivelet më të larta.
Ai shtoi se është me rëndësi që autoritetet publike të reflektojnë më shumë në kërkesat e Avokatit të Popullit që të përgjigjen me kohë, si dhe aspekti tjetër më i rëndësishëm që institucionet të punojnë më shumë në zbatimin e rekomandimeve që dalin në bazë të ankesave të qytetarëve.
“Zbatimi i rekomandimeve sjell përfitime të mëdha për qytetarët, duhet të adresohen ankesat e qytetarëve nga autoritetet,” tha z. Qelaj.
Në këtë tryezë morën pjesë kryetari i Komunës së Gjakovës, z. Ardian Gjini, kryetari i Komunës së Rahovecit, Z. Smajl Latifi, shefja e kabinetit të kryetarit të komunës së Malishevës, znj. Blerta Krasniqi, si dhe drejtori i zyrës për qeverisje të mirë në kuadër të zyrës së Kryeministrit, z. Habit Hajredini. Po ashtu të ftuar ishin edhe përfaqësues të sistemit të drejtësisë dhe policisë.
Një prezantim i rolit dhe mandatit të Avokatit të Popullit u prezantua nga këshilltari i lartë juridik nga zyra e IAP-së në Gjakovë, z. Mark Kaqinari.
Pjesëmarrësit diskutuan për gjendjen e të drejtave të njeriut në këtë regjion duke nënvizuar sfidat dhe problemet me të cilat përballen qytetarët. Një ndër çështjet që u ngritën ishte mospunësimi i personave me aftësi të kufizuara nga ana e institucioneve qendrore dhe lokale, ndërsa punësimi është e drejtë e garantuar me ligj, me ç’ rast u përmend si sfiduese edhe çështja për ta kuptuar diskriminimin si përmbajtje.
Po ashtu, një çështje tjetër e ngritur kishte të bënte edhe me mungesën e ofrimit të shërbimeve mjekësore kur është fjala për pacientët e hemodializës të cilët duhet të udhëtojnë nga Rahoveci për në Prizren, edhe pse komuna e Rahovecit ka investuar tashmë dhe një shërbim i tillë mund të kryhet në këtë qytet.
Institucioni i Avokatit të Popullit synon të mbajë një varg tryezash nëpër regjionet e Kosovës, duke pasur për qëllim promovimin e respektimit të të drejtave të njeriut, nxitjes së kulturës së transparencës dhe llogaridhënies në administratën publike, me fokus në qeverisjen lokale.
Këto tryeza do të shërbejnë si platformë e rëndësishme për promovimin e zyrave rajonale të Institucionit të Avokatit të Popullit, edukimin e palëve të interesit për të drejtat e njeriut, rëndësinë e zbatimit të rekomandimeve dhe nxitjen e bashkëpunimit ndërinstitucional për një qeverisje më të mirë.