Avokati i Popullit takoi përfaqësues lokal dhe të shoqërisë civile në Graçanicë
Prishtinë, 3 korrik 2023 – Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj në bashkëpunim me zyrën e OSBE-së në Kosovë, organizuan një tryezë diskutimi në Graçanicë me temë “Fuqizimi i bashkëpunimit ndër-institucional në promovimin e të drejtave të njeriut dhe qeverisjes së mirë”.
Në këtë tryezë morën pjesë përfaqësuesit e institucioneve lokale, të shoqërisë civile dhe aktivistë të drejtave të njeriut nga kjo komunë, të cilët kanë ngritur një mori çështjesh që shqetësojnë banorët e komunës së Graçanicës.
Fillimisht, Avokati i Popullit foli për mandatin dhe kompetencat e tij duke theksuar se ai ka mandat mbikëqyrës në punën e autoriteteve publike dhe në respektimin e të drejtave të njeriut, duke i mbrojtur qytetarët nga veprimi i kundërligjshëm apo mosveprimi i institucioneve. Këtë rol ai e ushtron përmes nxjerrjes së raporteve me rekomandime ku konstaton për shkeljet e të drejtave të njeriut, dhe kërkon nga autoritetet për të marrë masa për rikthim të të drejtave të cenuara.
Një shqetësim tjetër i ngritur ishte në lidhje me mos regjistrimin e qytetarëve në regjistrat civil dhe mungesa e dokumenteve personale, për të cilën Avokati i Popullit u përgjigj se Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) ka dal me një raport me rekomandime dhe ka konstatuar se e drejta për identitet ligjor është e drejtë e garantuar për secilin qytetar dhe ka dhënë rekomandime për autoritetet lokale dhe qendrore për masat që duhen marrë që asnjë qytetar i Kosovës të mos mbetet i paregjistruar dhe pa identitet ligjor.
Sa i përket raportimit për rastet e diskriminimit, Avokati i Popullit ka konstatuar se raportimi kundër diskriminimit është shumë i vogël, dhe kjo vjen si rezultat i mungesës së informacionit të përgjithshëm të qytetarëve për ligjin dhe për të drejtat që mund t’i gëzojnë, dhe që duhen marrë masa që inkurajojnë qytetarët që të raportojnë diskriminimin.
Në lidhje me të drejtat dhe gjendjen e personave me aftësi të kufizuar, Avokati i Popullit tha se IAP ka nisur disa hetime për rastet që janë më të ndjeshme dhe për problemet sistematike, duke nisur një hetim për punësimin e personave me aftësi të kufizuar, duke krijuar një pyetësor i cili i është dërguar të gjitha institucioneve publike në vend, për të parë se sa janë duke e respektuar ligjin për punësim dhe ri-aftësim të personave me aftësi të kufizuar. Hetime tjera po bëhen po ashtu për të parë punën e komisioneve mjekësore që bëjnë për vlerësim dhe ri-vlerësim të aftësisë së personave me aftësi të kufizuara, po ashtu edhe në lidhje me qasjen në infrastrukturë fizike dhe hapësira për Personat me Aftësi të Kufizuara.
Një tjetër shqetësim tjetër i ngritur nga publiku ishte mungesa e rrugës së duhur për te varrezat e komunitetit Rom, që gjendet në afërsi të fshatit Preoc. Nënkryetari i Komunës së Graçanicës për komunitete, Leutrim Ajeti theksoi se komuna e Graçanicës dhe ajo e Fushë Kosovës janë duke bashkëpunuar për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje. Pas takimit, Avokati i Popullit vizitoi këtë vend dhe me të parë situatën, ai hapi rast për hetim.
Gjatë tryezës u prezantua edhe mandati dhe kompetencat e Avokatit të Popullit, si dhe të dhëna për vitin e kaluar në të cilin janë pranuar 1.595 ankesa, prej të cilave 10 për qind e ankesave janë bërë nga komunitetet jo-shumicë.
“Numri më i madh i ankesave janë bërë kundër organeve të drejtësisë për shkak të zvarritjes së procedurave gjyqësore, ministrive të ndryshme, pushtetit lokal, policisë e të tjera”, tha në prezantimin e saj, këshilltarja e lartë juridike në zyrën e Graçanicës, znj. Aleksandra Dimitrijevic.
Në këtë takim mori pjesë edhe shefi i seksionit për të drejta dhe drejtësi në zyrën e OSBE-së në Kosovë, z. Mark Lasser, i cili tha se Avokati i Popullit ka një rol të rëndësishëm në identifikimin e sfidave për të drejtat e njeriut dhe në nxjerrjen e rekomandimeve për institucionet tjera.
Po ashtu, në këtë tryezë mori pjesë z. Ljubisa Karadzic, kryetar i komisionit të Kuvendit Komunal për Arsim, i cili tha se është i gatshëm të bashkëpunojë dhe të punohet në zgjidhjen e shumë problemeve që kanë komunitetet në këtë komunë.
Institucioni i Avokatit të Popullit synon të mbajë një varg tryezash nëpër regjionet e Kosovës, duke pasur për qëllim promovimin e respektimit të të drejtave të njeriut, nxitjes së kulturës së transparencës dhe llogaridhënies në administratën publike, me fokus në qeverisjen lokale.
Këto tryeza do të shërbejnë si platformë e rëndësishme për promovimin e zyrave rajonale të Institucionit të Avokatit të Popullit, edukimin e palëve të interesit për të drejtat e njeriut, rëndësinë e zbatimit të rekomandimeve dhe nxitjen e bashkëpunimit ndërinstitucional për një qeverisje më të mirë.