Dita e 26 qershorit shënon Ditën Ndërkombëtare për Mbështetjen e Viktimave të Torturës
Prishtinë, 27 qershor 2023 – Është e pa kontestueshme që ndër grupet shoqërore më të rrezikuara nga tortura dhe trajtimet ose dënimet tjera mizore, çnjerëzore ose degraduese janë personat e privuar nga liria e tyre, duke përfshirë, të miturit, të moshuarit, personat me sëmundje mendore, personat me nevoja të veçanta.
Për të shënuar këtë ditë, Avokati i Popullit i Republikës së Kosovës, z. Naim Qelaj dhe Avokatja e Popullit e Republikës së Shqipërisë, znj. Erinda Ballanca, organizuan një takim të përbashkët si mundësi e mirë për të shkëmbyer përvojat e dy vendeve, si një praktikë që tani më është bërë traditë mes dy institucioneve.
Ky rast ishte mundësi për t’ju bërë thirrje qeverive dhe institucioneve kompetente të dy vendeve për detyrimet kushtetuese e ligjore që kanë në respektim të drejtave dhe lirive të personave që janë të privuar nga liria, për trajtim me dinjitet dhe në respektim të standardeve tani më të pranuara nga dy vendet.
Gjithashtu, të dy avokatët u rikujtuan autoriteteve respektive detyrimet që dalin nga Konventa kundër Torturës dhe Trajtimeve ose Ndëshkimeve të tjera Mizore, Çnjerëzore apo Degraduese, miratuar 35 vjet më parë, e cila shprehimisht përcakton detyrimin që: “Çdo shtet palë merr masa efektive legjislative, administrative, gjyqësore, ose masa të tjera për të parandaluar veprimet e torturës në cilindo territor nën juridiksionin e tij.”
Në takim u konfirmua niveli i shkëlqyer i bashkëpunimit në shkëmbim të përvojave në angazhim në mbrojtje të personave të privuar nga liria, e në veçanti të personave me nevoja të veçanta dhe me sëmundje mendore. Ky bashkëpunim ka për qëllim përvetësimin e praktikave më të mira evropiane për mbrojtjen e të drejtave të kësaj kategorie shumë të ndjeshme të shoqërisë.
Delegacioni nga Republika e Shqipërisë që kryesohej nga Avokatja e Popullit Erinda Ballanca e shoqëruar nga Komisioneri i Mekanizmit Kombëtar, z. Ahmet Prençi dhe Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, z. Admir Abrija dhe delegacioni nga Kosova i kryesuar nga Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj, i shoqërua nga Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues, z. Ismail Dibrani, Drejtori i Shëndetësisë në burgje, z. Milazim Gjocaj, Zëvendës Avokati i Popullit, z. Basri Kastrati, drejtoresha e MKPT, znj. Shqipe Ibraj Mala dhe Këshilltarja juridike, znj. Fidane Zekaj, vizituan Institutin e Psikiatrisë Forenzike të Kosovës, ku u pritën nga Psikiatri, z. Bujar Obertinca dhe stafi i tij, të cilët ndan përvojat e tyre në trajtimin e personave me sëmundje mendore si dhe sfidat me të cilat po ballafaqohen. Ai tregoj se me mbështetjen e Këshillit të Evropës janë duke punuar në nxjerrjen e protokolleve të punës, e të cilat do të lehtësojnë punën e këtij institucioni si dhe kanë planifikuar zgjerimin e kapaciteteve si nevojë imediate për të trajtuar personat me sëmundje mendore në institucion adekuat.
Me këtë rast, nga të dy delegacionet u vlerësua puna që bëhet në këtë institucion si një model i mirë i angazhimit profesional dhe vullnetit institucional për trajtim të dinjitetshëm të personave që i nënshtrohen trajtimit në këtë qendër. Në anën tjetër u vlerësua fakti që Kosova për dallim nga vendet e regjionit, ka një institucion ku mund të trajtohen personat me sëmundje mendore, që bien ndesh me ligjin.
Një vizitë tjetër e rëndësishme, delegacioni realizoi në Pavijoni D në Qendrën Korrektuese në Dubravë, pavijon i cili është adaptuar dhe krijuar për të burgosurit me nevoja të veçanta. Të pranishmit u njoftuan me hapësirat si dhe planifikimet për këtë pavijon (pasi që ende nuk ka filluar popullimi i tij), nga Drejtori i Qendres Korrektuese në Dubravë, Avni Miftari dhe Udhëheqësi i Shëndetësisë, Astrit Rexhaj.
Të gjitha takimet e delegacionit shqiptar u ndoqën me interesim të madh si dhe me përshtypje me të mira dhe me besimin se përmes bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave tona, do të mund të arrihet ngitja në nivel më të lartë të lidhjes që ekziston me Shqipërisë dhe Kosovës.